Nga nesër Shqipëria pa TikTok/ AKEP: Bllokoni aksesin më 13 mars (Zbardhet shkresa)

Sot është afati i fundit që qytetarët shqiptarë, kanë të drejtë të kenë akses në aplikacionin TikTok. Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e aplikacionit për një periudhë 1-vjeçare, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ka kërkuar zyrtarisht mbylljen e aksesit në TikTok në Shqipëri.

Në një e-mail të dërguar të gjitha subjekteve ISP (ofruesve të shërbimeve të internetit), AKEP ka kërkuar që të bllokojnë aksesin në TikTok deri më 13 mars.

Kjo masë është marrë pas një urdhri nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

 

 

 

 

 

 

Njoftimi i AKEP:

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

Bllokimi i IP-ve të TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të TikTok në territorin e Shqipërisë.

Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.

Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.

Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.

Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së.

Gjithashtu, secili sipërmarrës (ISP), duhet te paraqese konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesit IP-ve dhe domaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.


Shtuar 12.03.2025 12:24