Këtë të premte, një alarm për bombë te shkolla “Turgut Ozal” në Tiranë ka shkaktuar panik tek fëmijët, mësuesit por edhe prindërit që janë lajmëruar nga shkolla përmes një mesazhi.
MESAZHI I SHKOLLËS
I nderuar prind,
Ju informojmë se në shkollë është dërguar një email dhe duhet që nxënësit të largohen për në shtëpi. Po bashkëpunojmë me policinë. Nuk ka panik dhe të gjithë fëmijët janë shumë mirë!
Transporti i fëmijëve do të jetë me furgon ose nga ana e prindërve nëse ka mundësi. Do mbetemi në kontakt. Mësuesja kujdestare
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 21.02.2025, rreth orës 11:30, është marrë njoftim se në adresën e një shkolle private në zonën e Misto-Mames, ka ardhur e-mail i shkruar anglisht në të cilin thuhej se në ambientet e shkollës ishte vendosur një bombë, e cila do të shpërthente për 43 minuta.
Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e nxënësve dhe stafit të shkollës.
Vijon kryerja e kontrollit dhe verifikimeve përkatëse nëse njoftimi është i rremë.
Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.