Këtë të mërkurë, në fjalën e saj në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, ka folur në lidhje me faktin që është nën hetim nga SPAK.
Ajo ka shpjeguar marrëdhëniet me çiftin Veliaj-Xoxa, ndërsa është ndalur edhe tek rastet ku sipas saj artistë janë intimiduar nga ana e organit të akuzës.
“Përfshirja e emrit tim në hetimin e kryetarit të bashkisë, lajm që si ju e kam dëgjuar nga mediat përmes një deklarate për shtyp të SPAK.
Në cilësinë e kryetares së komisionit të Ligjeve dhe si person që i është përkushtuar drejtësisë gjithë jetën, ngjarjet e ditëve të fundit kanë treguar se institucionet e reja të drejtësisë, të krijuara nga ky parlament dhe PS si mazhorancë kanë fituar vetbesimin e mjaftueshëm duke na çliruar ne nga pozicioni i mos komentimit të çështjeve.
Premisa e dytë niset nga shqetësimi i thellë për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në cilësinë e kryetares së komisionit të ligjeve kam përgjegjësinë që këto shqetësime t’i ndaj me ju dhe me opinionin publik.
Jo vetëm e njoh Ajola Xoxën, por kam bashkëpunuar me të edhe para se të isha deputete.
Erion Veliaj është miku im i fëmijërisë dhe jam krenare për punën që kemi bërë së bashku për transformimin e kryeqytetit.
Jo pak herë kam qenë pranë Ajolës duke e mbështetur si mike, në nivelin njerëzor.
Me Erionin kam pasur mundësi të flas më rrallë, por në çdo rast kam transmetuar besimin tim te e drejta”, u shpreh ajo.