Sali Berisha ka folur në protestën e Opozitës të mbajtur sot përballë kryeministrisë. Lideri demokrat u ndal gjatë te ajo që ka ndodhur me Partinë Demokratike, burgosjen e tij dhe në fund theksoi se kjo forcë politikë do të jetë ajo që do të futet në histori për përmbysjen e dy regjimeve diktatoriale, sipas tij.
Para qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Sali Berisha deklaroi se ishin forca politike më e përkrahur. Gjithashtu tregoi bisedën e tij në udhëtimin e bërë në Gjermani ku kishte premtuar se nuk do të eksportonin emigrantë nga Europa.
“E nis fjalën time me një përulje para jush, me një falënderim vllazëror dhe në përgëzimet e mia për të gjithë ju, për të gjithë demokratët dhe opozitarë. Në pak kohë, ne kemi bërë shumë. Le të kthehemi pak, vetëm një vit më parë, në shkurtin e kaluar, ne ishim këtu në shesh në protestën e 20-shkurtit. Lideri i Opozitës ishte I arrestuar, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me kushtetutën. Dhe unë fjalën time e mbajta nga një ekran, I burgosur politik. Në atë protestë ne hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë dhe që do të kemi.
Në atë protestë ne dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si Feniksi. Ata që menduan që do të na mposhtin, dështuan me turp. Ne jemi të pamposhtur se ne mbrojmë kauzë të drejtë. Ne jemi të pamposhtur se ne mbrojmë vlerat njerëzore. Ne mbrojmë lirinë, dinjitetin, familjen, kombin. Ndaj vijmë sot këtu si opozitë e të pamundurës, e bën të mundur si Partia Demokratike. Sot kemi vulë dhe flamur, jemi më të bashkuar se kurrë. Sot me 3 rezuluta ndërkombëtare, jemi forca politike më e përkrahur. Sot jemi në këmbë më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën, do fitojmë. Historia, historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura. Asgjë s’marrim ne si dhuratë.
Ne gjithçka meritojmë në betejën tonë. Nderim, nderim qëndrestarëve opozitarë. Miqtë e mi, përsëri krimi dhe bota e tij është kundër nesh. Prokuroria politike është kundër nesh, por ne përsëri qëndrojmë të pamposhtur. Ne përsëri qëndrojmë si mur në fitoren tonë. Ne arritëm të bëjmë pluhur, të shembim ëndrrën e pasardhësit të xhelatit komunist, Edi Ramës dhe monstrës së njerëzimit, George Soros. Gjithçka u bë që Shqipëria të mbetej pa opozitë. Kryetari i Partisë Demokratike u vendos në arrest shtëpie.
Ish presidenti I vendit u zvarrit dhe u tërhoq në mes të rrugës. Me urdhër të Edi Ramës, me mbështetjen e monstrës së njerëzimit, George Soros, deputeti Ervin Salianji, martiri I fjalës së lirë u burgos se u përball dhëmbë për dhëmbë me klanin mafioz, klanin Rama – Xhafa. Menduan se do të na trembnin, por gabuan rëndë. Unë I premtova Gjermanisë se nuk do të eksportojmë emigrantë nga Europa. Zero tolerancë. Tre rezoluta ndërkombëtare u censuruan totalisht nga mediat e qeverisë. Intervista e Arben Ahmetajt, I cili dhe në fakt I bëri autopsinë nga viti 2015 deri më sot. Ai detyroi Erion Velinë të firmoste djegësin e Tiranës”, tha Berisha.