Gjykata e Posaçme, ka dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim Aleksandër Lahon alias Pëllumb Muharremin, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut” për akuzën e korrupsionit.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Aleksandër Lahos, i është ulur dënimi në 10 muaj burgim.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme në pretencën e saj kishte kërkuar dënimin me 3 vite heqje lirie për “Rrumin e Shijakut”.
Gjithsesi, vendimin e formës së prerë pritet ta japë Gjykata e Apelit të Posaçëm.
SPAK e akuzon Aleksandër Lahon se i ka dhënë 9 milion lekë të vjetra ish avokatit të shtetit, Irgen Kërçuku që ky i fundit të mos merrte pjesë në procesin gjyqësor që paditësi Pal Seçuni kishte me Kadastrën në Durrës.
Rryshfeti i është dhënë avokatit të shtetit në zyrën vendore Durrës, Irgen Kërçuku, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në lidhje me një pronë.
Pasi mori shifrën prej 9 milion lekësh të vjetra nga “Rrumi”, Irgen Kërçuku nuk shkoi në gjyq, duke mos apeluar në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës.
Ka qenë përgjimet e qershorit të vitit 2017, që zbuluan lidhjet mes Aleksandër Lahos e Kërçukut për ryshfet. Rrumi shfaqej duke bërë pazar dhe duke i dhënë ryshfet përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Ish-avokati Irgen Kërçuku është dënuar më parë me 3 vite burgim nga Gjykata e Posaçme e Apelit për këtë çështje, ku nga gjykimi i shkurtuar i është ulur dënimi në 2 vite burgim.
Ai ka pranuar para SPAK se ka marrë 9 milionë lekë ryshfet me 2 këste, por pretendoi se kishte qenë i kërcënuar për t’i marrë ato. Madje, kur vendimi mori formë të prerë dhe nuk u bë ankimim, avokati pretendon se Rrumi i ka kërkuar t’i kthejë pas paratë.
Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, vijon të jetë ende në kërkim nga Policia, teksa avokati i tij ka pretenduar se ai ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore, për shkak se pas atentatit të regjistruar më 1 nëntor 2019 ndaj tij dhe ish-prokurorit Arjan Ndoj, nuk mori ndihmën e duhur mjekësore dhe nga plumbat ka mbetur i dëmtuar, duke i gjymtuar edhe një këmbë.