Mëngjesin e sotëm, me anë të një videokartoline të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, kryeministri i vendit Edi Rama, u ka bërë sot thirrje shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Nju-Jork, SHBA, që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Kreu i qeverisë u kujton bashkatdhetarëve shqiptarë, që të regjistrohen në platformën elektronike të KQZ-së, teksa sqaron se afati përfundimtar i regjistrimit është 4 marsi.
“Me këtë videokartolinë për shqiptarët e Amerikës, të cilëve bashkë me përqafimet u përcjell edhe rikujtesën se afati i regjistrimit për të votuar më 11 maj, skadon në 4 mars”, shkruan Rama.
Në videokartolinën e ndarë nga kryeministri Rama, është thirrja për shqiptarët jashtë që zëri i tyre të dëgjohet përmes votës, pasi vota është ndihma më e madhe që mund t’i jepet vendit.
“Erdha larg me një valixhe plot ëndrra dhe me një zemër që nuk u nda kurrë nga Shqipëria.
Çdo ditë pune është e gjatë. Dhe çdo kursim është i mbledhur me mund e sakrificë.
Unë po investojë gjithçka që kam, sepse Shqipëria është e imja dhe besoj tek ai vend. Por, a e di? Ka diçka më të çmuar se çdo kursim.
Diçka që mund të ndihmojë jo vetëm të sotmen, por edhe të ardhmen. Është vota ime”, thuhet në videokartolinën që ndau sot kryeministri.