Sytë nga Diaspora/ Berisha në Itali, Rama porosi strukturave për shtimin e punës: Qarqet me më shumë aplikime, 4 prej tyre me shifra shqetësuese

Partitë politike kanë “ndezur motorët” dhe kanë nisur de facto fushatën, në lidhje me zgjedhjet e 11 majit.

Si një risi e procesit të këtij viti, vota e diasporës ka marrë vëmendje të veçantë, sidomos pas nisjes më 11 janar të procesit të regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në PER.

Ku janë bërë tashmë 25 ditë nga nisja e aplikimeve për të regjistruar, sipas të dhënave të bëra publike në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, totali i kërkesave ka arritur në 140,557, ndërsa janë shqyrtuar 135,588 prej tyre dhe miratuar vetëm 85,916.

Qarqet me kërkesat më të mëdha për regjistrimin, janë Tirana me 17,605 (20.5%), Fieri me 11,742 (13.7%) dhe Korça me 9,212 (10.7%).

Qarqet “problematike” sa i përket numrit të aplikimeve, janë Lezha, Gjirokastra, Dibra dhe Kukësi, përkatësisht me 4.743, 3.469, 3.435 dhe 1.474 kërkesa.

Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama, ka mbledhur në seli drejtuesit politikë të PS, ku gjatë takimit është zhvilluar një analizë e detajuar e punës së bërë deri tani nga zyrtarët e lartë socialistë, për nxitur shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut të regjistrohen në Portalin Elektronik të Zgjedhësve i ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kryetari socialist, mësohet se ka kërkuar më shumë angazhim dhe intensifikuar punën për të bindur shqiptarët në diasporë të regjistrohen.

Vëmendje dhe punë e veçantë është kërkuar, për të regjistruar shqiptarët në diasporë në ato qarqe, ku numri i të regjistruarve është më i ulët.

Ndërkohë, Partia Demokratike, ka zgjedhur të jetë e pranishme me takimet e përfaqësuesve të saj në shtetet ku shqiptarët jetojnë.

Kreu i PD Sali Berisha do të nisë të parin takim me diasporën në Itali, ku do të jetë më 9 shkurt.

Lista e regjistrimeve sipas qarqeve:

Tiranë 17,605 20.5%

Fier 11,742 13.7%

Korçë 9,212 10.7%

Durrës 8,673 10.1%

Vlorë 7,028 8.2%

Elbasan 6,682 7.8%

Berat 6,462 7.5%

Shkodër 5,390 6.3%

Lezhë 4,743 5.5%

Gjirokastër 3,469 4.0%

Dibër 3,435 4.0%

Kukës 1,474 1.7%


Shtuar 4.02.2025 11:56