Gjatë 72 orëve të fundit në Qarkun e Elbasanit, po punohet për hapjen e të gjitha rrugëve të bllokuara nga dëbora, si edhe për eliminimin e dëmeve dhe defekteve të shkaktuara nga mbizotërimi i motit të keq.
Sipas Emergjencave Civile, bëhet me dije se akset rrugore nacionale dhe segmentet kryesore të rrugëve rurale, janë të hapura dhe nuk ka më probleme për qarkullimin e automjeteve.
Në akset ku ka pasur borë apo ngrica nga firmat kontraktuese, është bërë pastrimi i dëborës si edhe është kryer kriposja në të gjitha segmentet problematike.
Në aksin e rrugës kombëtare Elbasan-Qafë Thanë në “Kthesat e Qafë Thanës ”, ku temperaturat zbritën deri -6 gradë C, prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të mërkure, është punuar nga borëpastrueset dhe është hedhur kripë në rrugë për të evituar ngricat.
Në aksin rrugor Librazhd-Steblëve -Bulqizë, qarkullimi edhe këtë mesjavë është i mundur vetëm me zinxhirë e goma dimërore në segmentin nga Borova në Steblevë , ndërsa në pjesën tjetër nga sot qarkullimi kryhet normalisht.
Në disa Bashki si në atë të Elbasanit, Librazhdit , Prrenjasit e Gramshit, vijon puna për hapjen e rrugëve rurale që lidhin fshatrat malorë me Njesitë Administrative.
Në bashkinë e Elbasanit, po punohet në aksin Elbasan-Labinot Mal, Elbasan-Funarë. Në këtë bashki, nuk ka dalje nga shtrati dhe probleme me prurjet e lumenjve e përrenjve malorë, pasi prurjet e tyre janë në kuotat normale.
Edhe situata e furnizimit me energji elektrike, paraqitet mjaft e përmirësuar në krahasim me ditët e para të kësaj jave.
Pa energji janë edhe disa fshatra në Nj.A Polis e bashkisë Librazhd dhe Nj.A Bishqem bashkia Peqin,Nj.A Funar bashkia Elbasan, si dhe kanë defekte të rënda kabinat elektrike në qytetin e Prrenjasit dhe një në bashkinë Gramsh dhe në terren po punohet nga dhjetëra punonjës të OSHE për riparimin e të gjitha dëmeve e defekteve të shkaktuara nga moti i keq.