Duke ruajtur tendencën e përgjithshme që vazhdon të shfaqë vitet e fundit ,tregu i pronave në Greqi jo vetëm që pasqyroi sivjet një rritje të ndjeshme prej 5.6% të çmimeve të qirave të banesave krahasuar me vitin 2023, por pritet të arrijë nivele edhe më të larta gjatë vitit të ardhshëm.
Kjo sipas specialistëve, për shkak të rritjes së kërkesës dhe ofertës së kufizuar, pasi një numër i madh i banesave private janë kthyer nga pronarët, në shtëpi me qira afatshkurtra. Gjithashtu është nxitur edhe nga ardhjet rekord të turistëve si dhe nga rritja e investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme.
Gjatë gjithë vitit 2024 ka pasur me dhjetëra protesta të qytetarëve që deklarojnë se japin më shumë se gjysmën e rrogës për qira , si dhe ndaj sekuestrimeve të shtëpive nga bankat kur dikush nuk mund të paguajë këstet e larta, për shkak edhe të shtrenjtësisë së jetesës.
Me synim uljen e çmimeve të qirave por edhe të blerjes së shtëpive të reja, qeveria greke do fillojë të zbatojë ditët në vijim një sërë masash duke ulur taksat dhe duke shtrënguar rregullat për shtëpitë me qira afatshkurtra.
Ndër këto masa bie në sy përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat për banesat deri në 120 m2. që ishin të lira ose të përdorura për qira afatshkurtra, të cilat do të jepen me qira me kontrata afatgjata të paktën tre vjet. Në të njëjtën kohë, parashikohet ulja e dyfishtë e taksës së shtëpive (ENFIA), duke arritur në 20% për pronat me vlerë deri në 500 mijë euro të siguruara nga fatkeqësitë natyrore.
Gjithashtu, mbetet në fuqi pezullimi i TVSH-së për ndërtesat e reja deri në fund të vitit 2025. Pezullohet njëkohësisht tatimi mbi fitimin kapital nga transfertat e pasurive të paluajtshme deri në vitin 2026, masa që lehtësojnë zhvillimin e tregut ,investimet dhe likuiditetin, ndërsa vendoset një tarifë e re për akomodimin turistik.
Në të njëjtën kohë, tek pronat me qira afatshkurtër, rritet tarifa e rezistencës ndaj krizës klimatike 2 euro për natë në dimër , dhe 8 euro në verë, ndërsa ndalohet regjistrimi i banesave të reja afatshkurtra në tre bashki të vogla në qendër të Athinës.
Sipas Organizmit për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik çmimet e shtëpive në Greqi janë rritur 7 vitet e fundit me 69%. Për më tepër, grekët shpenzojnë tashmë më shumë se një të tretën e të ardhurave të tyre të disponueshme për kostot e strehimit, më shumë se çdo vend tjetër në Bashkimin Evropian.