Plagosi bashkëmoshatarin, lihet në burg 17-vjeçari, çfarë tha para gjykatës i mituri

Gjykata e Fierit, ka lënë në burg 17-vjeçarin që goditi disa herë më thikë shokun e tij të klasës, duke e lënë të plagosur rëndë.

Para gjykatës, i mituri mësohet se nuk ka thënë asnjë fjalë, lidhur me konfliktin e pak ditëve më parë në gjimnazin “Mustafa Hoxha” në Cakran.

U bë me dije se adoleshenti ka thënë para gjykatës vetëm fjalët: “Jam në ankth, nuk jam në gjendje të flas”.

Ndërsa u raportua se avokati mbrojtës ka kërkuar masë më të lehtë sigurie, atë të arrestit në shtëpi, por gjykata ka vendosur që adoleshenti të qëndrojë në burg.

Çfarë tha 17-vjeçari i plagosur për mediat?

Sipas dëshmisë së të plagosurit, konflikti ka nisur një muaj më parë pas postimit të disa fotove në rrjetet sociale, ndërsa autori pritet që në dëshminë e sotme, të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen.

“Ai nxori biçakun, gjithmonë e mbante biçakun me vete. Më goditi në shpatull dhe në këmbë. Unë u shmanga, u futa në klasë dhe mbylla derën, për fat të keq nuk e mbaja dot derën për shkak të shpatullës. Ai e hapi derën, në atë moment vjen mësuesja dhe më shpëtoi nga ai djalë”, tha adoleshenti, i cili tha se kërkon drejtësi.

“Gjithçka nisi duke më bërë foto mua, familjes time dhe shkove të mi, gjithashtu edhe familjes së atyre. Hidhte nëpër telefon foto, ka një muaj ky muhabet, nuk u mbyll me fjalë dhe jemi këtu ku jemi sot.

Vuante nga sëmundja besoj, nuk është mirë nga trutë. Nuk është herë e parë që e bën. Ka ndodhur edhe herë tjetër. Kam njoftuar profesorin dhe më ka thënë që është i sëmurë nga mendorja, më ka thënë që i kemi thënë edhe të atit të tij”, tregoi 17-vjeçari.


Shtuar 16.12.2024 12:05