Muhamed Sejdini, President i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka dhënë papritur dorëheqjen nga posti që mban. Një gjë të tillë e konfirmon edhe ai vetë përmes një postimi në “Facebook”, duke numëruar disa nga sukseset e arritura me Maqedoninë e Veriut gjatë kohës së tij në krye të këtij institucioni.
Postimi i plotë i Sejdinit
“Pas 7 viteve të jashtëzakonshme dhe të mbushura me arritje historike, kam vendosur të tërhiqem nga pozita e Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ky vendim vjen si rezultat i reflektimit tim për një moment të përshtatshëm ndryshimi, pas një periudhe që do të mbetet si më e suksesshmja në historinë e futbollit tonë.
Nën drejtimin tim, së bashku me ju, kemi shkruar kapituj të artë për futbollin e Maqedonisë: kualifikimi historik në Kampionatin Europian EURO 2020, renditja e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës dhe fitorja e paharrueshme kundër Italisë në Palermo, sukseset e Ligës së Kombeve me kalimin në Ligën B dhe realizimi i projekteve të shumta infrastrukturore në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n.
E lë këtë pozicion me krenari dhe falënderim të madh për të gjithë ata që kontribuuan në këto arritje: lojtarët, trajnerët, klubet, investitorët, administratën, Komitetin Ekzekutiv dhe çdo dashamirës të futbollit.
Unë do të vazhdoj të ushtroj rolin tim deri më 22 dhjetor, kur në një Kuvend të Jashtëzakonshëm do të zgjidhet pasardhësi im. Me besim të plotë në të ardhmen e Federatës dhe të futbollit tonë, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe bashkëpunimin ndër vite”, shkruan Sejdini.
Aktualisht FFM do të drejtohet nga nënkryetari Lazar Rakidjiev, teksa siç mësohet nga mediat vendase, kandidati më serioz për të zëvendësuar Sejdinin është Masar Omeragiç. Vlen të theksohet se FFM duhet ta emërojë presidentin e ri para 27 dhjetorit të këtij viti.