Jurgis Çyrbja dëshmon në SPAK: Nuk kam përdorur ndonjëherë “SKY ECC”, s`kisha nevojë për ndihmën e Altin Hajrit për t’u bërë deputet

Këtë të premte, ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, ka dëshmuar për herë të parë në SPAK, që pas arrestimit të tij mbrëmjen e 20 Tetorit, dy ditë pasi kishte dorëzuar mandatin në Kuvend.

Çyrbja është marrë në pyetje nga Prokurori i Posaçëm Adnand Xholi për rreth dy orë, që prej orës 12:00 deri në orën 14:00.

Burime për mediat bëjnë me dije se ish-deputeti, ka mohuar se ka qenë përdorues i aplikacionit “Sky Ecc”, si dhe po ashtu ka mohuar të gjitha episodet për të cilat akuzohet nga SPAK, ku ka dalë nga bisedat e personazheve të njohur të krimit në Durrës.

“Nuk kam patur kurrë aplikacion Sky Ecc dhe nuk jam unë ai që komunikoj me ata njerëz. Unë nuk kam përkrahur asnjë person në kërkim, as nuk kam strehuar”, – mësohet se ka deklaruar Çyrbja.

Mes te tjerash, ish-deputeti raportohet se është shprehur para prokurorëve se nuk ka patur në përdorim aplikacion Sky ECC, ndërsa thotë se nuk kishte nevojë për ndihmën e Altin Hajrit për vota, pasi gëzonte mbështetjen në zonë.

Gjithashtu, edhe vëllai i kunatit të tij, i arrestuari Altin Masha, e ka mohuar se ka qenë përdorues i aplikacionit “Sky Ecc” dhe të gjitha akuzat e SPAK.

Ish-deputeti akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave penale të “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “përkrahja e autorit të krimit” si dhe “tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Bashkë me të ka rënë në pranga edhe Ahmet Masha, vëllai i kunatit të ish-deputetit Çyrbja, si dhe është rishpallur në kërkim Altin Hajri.

Nga bisedat mes njerëzve të krimit të organizuar në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”, është zbuluar se si ata ndikuan që emri i Jurgis Çyrbjas, të renditej në listën e sigurt për deputet i Partisë Socialiste për Qarkun e Durresit, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.

Edmond Koçi i njohur si Mond Çekiçi, i ekzekutuar pranverën e 2021 dhe Altin Hajrin, i shumëkërkuar nga drejtësia, u kërkuan zyrtarëve të PS-së që Jurgis Çyrbja të ishte i treti në listën e deputetëve.

Po ashtu, Çyrbja i informonte personazhet e krimit kur ata shpalleshin në kërkim, apo për aksionet e Policisë për kapjen e tyre, madje në disa raste duke iu ofruar dhe strehim për t’i shpëtuar drejtësisë. Në këmbim ata i ofronin Çyrbjas vota në zgjedhjet parlamentare.


Shtuar 15.11.2024 14:55