Ish-deputeti i PS Jurgis Çyrbja lë sot qelinë për të dëshmuar në SPAK

Këtë të premte, për herë të parë që pas arrestimit, ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, i cili dyshohet për korrupsion në zgjedhje, tregtim të sekretit shtetëror e përkrahje të autorit të krimit, do të dëshmojë para Prokurorëve të Posaçëm.

Ish-deputeti pritet të japë shpjegime në orën 11.00, në praninë e avokatit mbrojtës dhe më pas Prokurorët e Posaçëm, do të thërrasin dhe marrin në pyetje të gjithë personat, të cilët kanë dalë nga komunikimet e Jurgis Çyrbjas dhe personave të tjerë të identifikuar deri më tani.

Nga zbërthimi i bisedave në SKY ECC, u zbulua se në favor të votave për t’u zgjedhur si deputet në qarkun Durrës në zgjedhjet e 2021, Çyrbja, informonte bosë të krimit për operacionet policore me qëllim që ata të mos arrestoheshin.

Ndërkohë që Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekici, i cili u ekzekutua në 2021 dhe Altin Hajri, i shumëkërkuar për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës, kanë ndikuar sipas SPAK pranë zyrtarëve socialistë që emri i Çyrbjas të ishte në listë të sigurt për deputet.

Ish-deputeti do të japë shpjegime, se kush e propozoi emrin e tij për deputet dhe në ç’mënyrë i siguroi dokumentet sekrete që ua shpërndante njerëzve të krimit.

Jurgis Çyrbja, ndërkohë është marrë i pandehur po nga SPAK për shpërdorim detyrë, lidhur me 4 praktikë pronash gjatë kohës që drejtonte hipotekën e Durrësit.

Të pandehur për këtë çështje janë marrë edhe ish-kryetari i komunës Rrashbull, Hysen Gashi, si dhe ish-zyrtarët Ervis Mustafa, Qamil Lila, Edlira Çollaku dhe Elda Doçi.


Shtuar 15.11.2024 10:42