Kanë dalë pamjet e biznesmenit 52-vjeçar, Eduart Reçi, pak momente pasi iu bë atentat rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme në Tiranë, ku u ekzekutua pranë banesës së tij.
Siç shihet edhe në foton e mëposhtme, Reçi shfaqet i shtrirë në tokë, teksa një plumb i ka shpuar tej për tej kokën.
Fotoja është kapur nga filmimet e kamerave të sigurisë në zonë, ku grupi hetimor ka bërë kqyrjen e tyre, të cilat nuk kanë filmuar asnjë autor, por shihet vetëm Eduart Reçi që shtrihet në tokë në momentin kur qëllohet.
Pas atenatit, 52-vjeçari mbeti i plagosur dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës, por sërish nuk arriti dot t’i mbijetonte plagës së marrë dhe ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.
Dyshohet se Eduart Reçi, ka qenë duke u ruajtur nga autorët dhe është qëlluar me armë zjarri sapo ka dalë nga banesa e tij.
52-vjeçari ka marrë vetëm një plumb në kokë dhe dyshohet se autorët e kanë qëlluar nga një distancë e konsiderueshme.
Fakti që ekzekutimi është kryer me një saktësi të tillë dhe i ka shpuar kokën tej për tej, grupi hetimor ngre dyshime se Reçi mund të jetë ekzekutuar me armë zjarri të pajisura me dylbi, snajper, teksa autori dyshohet të ketë qenë një vrasës me pagesë dhe përdues shumë i mirë i armëve.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje vetëm familjarët e viktimës, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni që Eduart Reçi të ketë patur konflikt me ndonjë person.
Forca të shumta policie rrethuan vendin e ngjarjes pas atenatit, por deri më tani ende nuk ka asnjë gjurmë nga autorët.
Para disa vitesh, Eduart Reçi, ka qenë drejtor në një prej drejtiorive të institucionit të Shërbimit Informativ Shtetëror, teksa vitet e fundit ka qenë i njohur për aktivitetin e tij në ndërtim, pasi ka ndërtuar disa pallate pranë zonës ku iu bë atentati dhe është pronari i kompanisë “ELGM”.
Biznesmeni Eduart Reçi me origjinë nga Dibra, ishte babai i dy fëmijëve. Mësohet se pallatin ku jetonte, viktima e kishte ndërtuar vetë.