Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takojë sot Presidentin e Francës Emmanuel Macron. Mediat e Kosovës shkruajnë se në orën 19:30, Kurti do të pritet në Pallatin Elisee në Paris nga presidenti Macron.
Kurti dhe Macron do të bisedojnë në lidhje me temën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si dhe perspektivën e Kosovës drejt integrimit Evropian. Ekspress shkruan se pritet që Kurti të kërkojë nga presidenti Macron përkrahje për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kjo është vizita e parë e Kurtit në Paris pas marrjes së detyrës si kryeministër. Ftesën për takim, Macron ia kishte dërguar para tre muajsh kryeministrit Kurti, pasi ai kishte fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.