Anëtarësimi në sistemin unik të pagesave në euro, shihet si hap historik nga Banka e Shqipërisë për shkak të përfitimeve që i sjell qytetarëve dhe bizneseve.
“Komisionet do të reduktohen në mënyrë të jashtëzakonshme. Aktualisht nëse një individ ose një biznes shkon të bëj një transaksion me BE ose me vende të tjera të Sepës që përmenda do të paguaj një komision prej 200 deri në 300 euro. Me hyrjen në Sepa këto transaksione reduktohen në maksimum dhe mund të shkojnë deri në 1 euro, 2 euro, në varësi të shumës.”
Nëndrejtoresha e Departamentit të Sistemit të Pagesave pranë Bankës Qendrore, Valetina Semi në një intervistë për “Ora News”, tha se reduktimi i kostove të transaksioneve do të rrisë përfshirjen financiare të qytetarëve.
“ Duke krijuar llogarinë bazike që ne kemi përmendur në publik do të krijohet një përfshirje financiare për familjet që priten. Pra ne i ofrojmë të gjithë individëve që nuk kanë një aftësi paguese të jashtëzakonshme dhe nuk kanë një akses në financë të kenë një llogari bankare e cila ka komisione shumë të ulëta.”
Zyrtarja e BSH-së, thotë se aktualisht vetëm 14% e volumit të remitancave kalojnë nëpërmjet sektorit bankar.
Me anëtarësimin në SEPA flukset e remitancave identifikohen më lehtë.
“Duke reduktuar komisionet krijohet një hapësirë shumë domethënëse që këto transaksione të kanalizojnë nëpërmjet sistemit bankar për shkak të komisioneve të ulëta. Nga ana tjetër krijohet edhe një facilitet për të gjithë ekonominë. Pra, këto hyjnë nëpërmjet kanaleve zyrtare, ne identifikojmë të gjithë flukset dhe monitorojmë të gjithë zhvillimin ekonomik që sjellin këto remitanca që aktualisht ne i masim me vrojtim dhe nuk është aq efikase deri duku kapja e impaktit që kanë remitancat në tregun Shqiptar.”
Banka e Shqipërisë pret në fund të këtij viti miratimin zyrtar për t’u bërë pjesë e sistemit unik të pagesave në euro.