Kalon për herë të parë grupin, trajneri i Austrisë “kërcënon” Italinë: Do të vijë një ditë e do të mposhtet

Austria kaloi për herë të parë fazën e grupeve në Europian, falë fitores 1-0 kundër Ukrainës. Trajneri i austriakëve, Franco Foda, me origjinë italiane, theksoi se ka shumë besim se do t’i shkaktojë Italisë, të shtunën e ardhshme humbjes e parë pas një serie të gjatë me rezultate pozitive.

“Ishim të bindur që do të kalonim në raundin e 1/8-ave. Ekipi luajti një ndeshje fantastike kundër Ukrainës, lojtarët ishin të mirë në zotërimin e topit dhe në rikuperim.

Sot nuk mund të ankohemi për asgjë. Nuk ka kundërshtarë të lehtë në kompeticione të tilla. Italia nuk ka humbur prej një kohe të gjatë, por një ditë do të ndodhë. Ne do të duhet të rikuperojmë energjitë, pastaj do të japim gjithçka që mundemi për të fituar në Londër. Do të jetë e vështirë, por ekipi është i gatshëm dhe gati “.


Shtuar 22.06.2021 08:56