U godit me këmbën e karriges, Spiropali: Mora dhuratë një copë druri, më ruajti fati dhe paaftësia e goditësit

Ditën e sotme, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ka folur sërish për tensionet e të hënës në Kuvend, ku drejt saj deputeti Gazment Bardhi qëlloi me këmbën e karriges.

Në një aktivitet për luftën kundër korrupsionit, Spiropali tha se nga stafi i saj atë këmbë karrige e kishte marrë si dhuratë të vendosur në një kornizë.

Do ta mbaj ca kohë në zyrë, tha Spiropali, më pas do ta çoj në shtëpi, ndërsa theksoi se “e ruajti fati dhe paaftësi e goditësit për të qëlluar në shenj”.

“Dje vonë në mbrëmje një grup nga stafi mbështetës i Kuvendit më bëri dhuratën më interesante dhe më të pakëndshme që kam marrë ndonjëherë. Një copë druri brenda një kornize xhami.

Copa e drurit, këmba e karriges, që një eksponentë i opozitës e hodhi drejt meje për të më goditur. E di që më ruajti fati dhe paaftësia e goditësit për të më qëlluar në shenjë. Si njeri e kam falur, si politikane nuk mund të mos them dy fjalë: Pse kjo egërsi? Pse edhe në vendin ku duhet të mbretërojë dialogu dhe arsyeja dhe jo instikti primitiv thirret në ndihmë dhuna e verbër?

Nuk kemi as mundësi as kohë të shtjellojmë arsyet. Po ju them vetëm rolin balancues të pushtetit gjyqësor. Ka ndodhur këtu ku prokuroret e përgjithshëm të këtij vendi shiheshin si vartës, trajtoheshin si kundërshtarë dhe luftoheshin si armiq”, tha kryetarja e Kuvendit.


Shtuar 3.10.2024 09:37