Në një postim në Facebook, organizata Qëndresa Qytetare ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me veprimet e mazhorancës në lidhje me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Ata e kanë kritikuar ashpër këtë institucion, duke e cilësuar atë si një “gardiane” të mazhorancës, ndërkohë që vetë mazhoranca nuk respekton vendimet e saj.
Gjithashtu ata u shprehën se Elisa Spiropali njoftoi në përfundim të seancës se do t’i “drejtohet Komisionit të Venecias për mendim, por qartazi kjo është një taktikë për zvarritjen e procesit.
“Gjykata Kushtetuese u kthye në gardiane të mazhorancës, por mazhoranca nuk zbaton as vendimet e saj!
Dy vitet e fundit Gjykata Kushtetuese në çështje sensitive si menaxhimi i Butrintit, ligji për pengmarrjen e studentëve të mjekësisë, apo pakti Rama Meloni për kampet në Gjadër ka dalë në vendime që ishin në krahun e interesave të qeverisë, por mesa duket qeveria as nuk dënjon ta njohë. Në seancën parlamentare maratonë deputetët e PS nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka për verifikim, duke abstenuar ose duke votuar kundër.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi në përfundim të seancës se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim, por qartazi kjo është një taktikë për zvarritjen e procesit. Qëndresa Qytetare vlerëson se kjo përbën një precedent të rrezikshëm, pasi forca e kartonëve në kuvend nuk mund të prevalojë mbi ligjin. Qëndresa Qytetare i kërkon Gjykatës Kushtetuese të mbajë një qëndrim publik për këtë rast ku paligjshmëria është konsumuar në zyrat më të larta të Shtetit Shqiptar.”