Berisha u mor i pandehur nga SPAK, reagon Meta: vendimi, shërbim i verbër ndaj narkoshtetit

Presidenti i PL-së, Ilir Meta, ka reaguar për marrjen si i pandehur të liderit të opozitës Sali Berisha, nën akuzën e “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”.

Meta e quan SPAK-un një organizatë kriminale mercenare dhe e akuzon kreun e saj Altin Dumanin, se e ka marrë Berishën të pandehur duke mos u bazuar në prova.

Gjithashtu, Meta deklaron se vendimi është i diktuar politikisht nga kryeministri Edi Rama, si pjesë e planit për të lënë vendin pa opozitë zyrtare.

“Vendimi i djeshëm i organizatës kriminale mercenare, SPAK nën drejtimin e Altin Dumanit, për të marrë të pandehur pa prova, pa dëshmi, pa fakte dhe pa dokumente, liderin historik të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha nuk është gjë tjetër veçse një akuzë e mirëfilltë politike e diktuar dhe e paracaktuar nga Edi Rama, në funksion të agjendës së tij elektorale, me qëllim asgjësimin me çdo mjet të opozitës, të demokracisë dhe të pluralizmit politik”, shprehet Meta.

Meta e cilëson vendimin e SPAK “shërbim të verbër ndaj narkoshtetit për të goditur drejtuesit e opozitës dhe mbrojtur hapur korrupsionin skizofrenik dhe lidhjet e tmerrshme kriminale të Edi Ramës”.

“Është një poshtërim flagrant i sistemit të drejtësisë dhe integritetit të tij, si edhe një tradhti kombëtare ndaj Shqipërisë që ka nevojë ulëritëse për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta. Është ky SPAK që as nuk guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës, jo vetëm për çështjen e Sali Berishës por edhe për shumë çështje të tjera ku firmat e tij janë hedhur mbi afera kriminale”, deklaron Meta.

Për Metën privatizimin e ish-kompleksit Partizani e ka nisur qeveria socialiste e kohës, kurse ndryshimi i destinacionit nga terren sportiv në truall ndërtimi është bërë nga Edi Rama, në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, por emri i tij nuk përmendet fare në dosje.

“Në rastin e ndërrimit të destinacionit të “Klubit Partizani” ku shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë, SPAK ka anashkaluar të gjitha vendimmarrjet e bashkisë së Edi Ramës dhe ka shkuar drejt e tek Sali Berisha, i cili me vendim të Gjykatës Kushtetuese e kishte të ndaluar t’i ndryshonte ato. Ky vendim pa asnjë baze ligjore ndaj Sali Berishës në vitin elektoral, përfshirë izolimin dhe pamundësimin e aktivitetit të tij si lider i Partisë Demokratike dhe si deputet, është dëshmi e qartë se SPAK nën drejtimin e Dumanit është shndërruar në një “vrasës me pagesë” më i egër dhe më i padenjë se vetë Nuredini”.


Shtuar 12.09.2024 15:57