Gjatë intervistës në Syri Tv, kreu i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratikem, Edi Paloka, ka komentuar zhvillimet e fundit politike.
Paloka tha se akuzat e SPAK ndaj Sali Berishës, janë tërësisht politike me qëllim që Edi Rama të asgjësojë opozitën.
Gjithashtu, Paloka e krahasoi qeverisjen e Edi Ramës, njësoj me kohën e diktaturës së Enver Hoxhës.
Edi Paloka: “Personaliteti i Berishës, në këtë rast, thjesht është lartësuar në fakt. Sepse edhe ai më naivi, edhe ai me dyshuesi që mund të këtë qenë në këtë çështje, tashmë e ka të qartë që kemi të bëjmë me një farsë të madhe që vërteton në fakt, çfarë kemi thënë ne deri tashti.
Berisha mbahet në arrest sepse ka përballë një kundërshtar burracak, frikacak, që është mësuar që në gara të hyjë vetëm kur kundërshtari është i shtrirë pa ndjenja. Gjithë jetën e vet, Rama nuk ka hyrë në ndonjë garë. Nuk ka hyrë ndonjëherë në ring kur ka patur kundërshtarë në ring. Ai hyn në ring vetëm kur e sheh që kundërshtari është i shtrirë pa ndjenja dhe pastaj hyn aty që të ngrejë duart për fitore.
Berisha ka qenë tmerri i tij dhe këtë nuk e kam thjesht mendim personal, por e kam nga njerëz afër tij. Madje dikur e kam thënë e nuk po e përsëris tani se nuk dua, nga gazetarë afër tij, e kam që prej vitesh që Rama Berishën e ka pasur edhe tmerr, edhe ka dashur ta imitojë.
Kështu që ajo që ndodhi dje është ajo që pritej. Sa ishin ndezur motorët e fushatës. Vërtet fushata fillon sipas afatit kushtetues, por praktikisht filloi fushata për të dyja partitë me daljen e drejtuesve politike dhe me aktivitetet e para, praktikisht janë ndezur motorët e fushatës.
Afatet që kishte ne dispozicion SPAK-u i Ramës kishin mbaruar të gjitha, kështu që detyrimisht priten që të mbarojë edhe Asambleja e e PS dhe ndodhi ajo që ndodhi dje. Hapen më parë thashetheme sepse edhe ata vetë e dinë se sa absurde dhe qesharake është akuza që i kanë ngritur Berishës. Hapën fjalë se do ketë disa akuza, jo ju nuk i dini, jo po aty janë prova të tjera që nuk i di publiku. Në fakt doli ashtu sic pritej. Kemi një akuzë që ngrihet mbi një vendim kolegjial qeverie në ndihmë, shërbim të ish-pronarëve.
Të pronarëve të vjetër, se ish-pronarëve nuk është term që duhet përdorur. Të pronarëve të vjetër, që regjimi komunist i kishte masakruar u kishte marrë gjithçka. Pra, një vendim qeverie në favor të këtyre pronarëve të vjetër, një ndër të cilët, mijëra e mijëra familje që përfituan nga ky vendim, një ndër të cilët ishte edhe dhëndri i Sali Berishës. Për këtë arsye sot akuzohet edhe dhëndri edhe Sali Berisha se kanë korruptuar njëri- tjetrin.
Ky Dumani, kur është në vështirësi, e të detyrojnë të marrësh vendime, kështu qesharak do të bësh. Aty në parlament m’u përgjigj mua se janë ca krime intelektuale që janë të vështira t’i zbulosh. Ne sot jemi në regjimin e diktaturës së Enverit, madje ne ditët afër ngordhjes së Enverit…”.