Viti i ri shkollor 2024-2025, disa shkolla rikthehen edhe me turn të dytë

Këtë të hënë në Berat, ka nisur viti i ri shkollor 2024-2025. Shkollat kanë hapur të gjitha dyert për pritjen e nxënësve e mësuesve, ndërkohë që fëmijët shihen t’i drejtohen shkollave të lumtur e me lule në duar, për të filluar mbarë këtë vit mësimor.

Mësohet se për shkak të rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “22 Tetori”, nxënësit e kësaj shkolle do ta zhvillojnë mësimin në gjimnazin “Bab Dud Karbunara”, paradite nxënësit nga klasa e parë në klasën e katërt dhe pasdite ata nga klasa e pestë në klasën e nëntë.

Këtë vit në rrethin e Beratit, kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 58 shkolla (9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe private).

Numri total i nxënësve në këto shkolla është 6470 nxënës, ndërkohë që në bankat e shkollës ulen për herë të parë 458 vogëlushë në klasën e parë.

Edhe kopshtet e çerdhet kanë hapur sot dyert për të pritur vogëlushët. Në Berat, 1000 fëmijë frekuentojnë kopshtet në qytet e fshat dhe 256 fëmijë frekuentojnë çerdhet. Shifrat janë bërë të ditura nga Drejtoresha e Arsimit në Bashkinë Berat, Klodjana Hoxha.

“Ne sivjet, në 4 çerdhet e bashkisë Berat kemi të regjistruar 256 fëmijë, në kopshtet (qytet dhe njësi administrative) kemi 1000 fëmijë, Në klasat e para sivjet do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës 367 nxënës në shkollat publike dhe 91 nxënës në shkollat private. Në klasat e 10-a kemi 473 nxënës në shkollat publike dhe 84 në shkollat private.Në bankat e shkollave këtë vit do të ulen 5500 nxënës në shkollat publike dhe 970 nxënës në shkollat private”,-ka thënë Hoxha.

Ajo ka konfirmuar se edhe këtë vit do të ketë mësim me dy turne, për një shkollë që po rikonstruktohet nga themeli.

“Mësimi me dy turne do te jetë për nxënësit e shkollës 9-vjeçare “22 Tetori” dhe për disa klasa të shkollës Uznovë.Në shkollën e re të rindërtuar, Bab Dud Karbunara do të zhvillojnë mësimin paradite dhe pasdite 12 klasat e shkollës 9-vjeçare “22 Tetori”, e cila po rindërtohet nga themeli”,-ka thënë ajo.

Duke konfirmuar se janë gjithsej 58 godina shkollash në të gjithë bashkinë Berat (qytet + fshat), Hoxha ka folur edhe për gjendjen e shkollave.

“Kemi disa shkolla me probleme në infrastrukturë por, duke qënë se shkollave u shërbehet sistematikisht nuk kemi shkolla që të kenë probleme në lidhje me nevojat sanitare,për furnizimin me ujë, për rrjetin elektrik, për lyerje, për lagështirën etj pasi të gjitha shkollat janë mirëmbajtur”,-ka thënë Hoxha

Shifrat e numrit të nxënësve për vitin e kaluar kanë qenë:

5450 ishte numri i nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë,

540 fëmijê u ulën për herë të parë në bankat e shkollës.

Gjithashtu, ka startuar sot viti i ri shkollor 2024 – 2025 edhe në qarkun Fier.

Pavarësisht largimit të nxënësve, që mbetet një problem madhor në mbarë vendin , në këtë qark nuk regjistrohet asnjë shkollë e mbyllur dhe as mësues të larguar e të mbetur pa punë. Ndërkohë edhe transporti është një problem i zgjidhur, ndërsa 8 shkolla janë në rikonstruksion në qarkun Fier.

Në 32 shkolla të ciklit parauniversitar  që përfshin  ZVAP Sarandë-Konispol-Delvinë, ka nisur sot mësimi për vitin e ri mësimor 2024-2025. Numri i nxënësve për vitin e ri shkollor që do të ulen në bankat e shkollës është 4179 nxënës, nga 4320, pra 141 nxënës më pak se të një viti më parë. Kjo tregon se për këtë vit ka një rënie të numrit të nxënësve. Gjithashtu, bëhet me dije se 350 nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Të gjitha shkollat janë gati për fillimin e vitit të ri shkollor. Ndërkohë, edhe në këtë vit shkollor në të dy shkollat 9-vjeçare të qytetit, “9 Tetori “ dhe ajo “Adem Sheme” mësimi do të bëhet me dy turne. Edhe pse krahasuar  me vitin e kaluar ka më pak nxënës, nuk ka pasur mbyllje shkollash apo dalje të mësuesve nga sistemi.  Ndërkohë, strukturat e sigurisë publike dhe pushteti vendor, kanë marrë masat përkatëse për respektimin e perimetrit të sigurisë përreth godinave shkollore.

Edhe për këtë vit shkollor godina e Eco Campusit, që tratativat për hapjen e saj në funksion të një shkolle të re për fëmijët, kryesisht të lagjes nr.1 të qytetit, kanë nisur në vitin 2011 për t’u vënë në jetë në 2015.

Është një godinë më të gjitha parametrat e duhura për destinacionin e nisur. Në 2017 ka përfunduar ndërtimi i saj por ende nuk është vënë në punë.

Nga viti në vit është folur, madje edhe është shpresuar shumë për hapjen si shkollë në shërbim të komunitetit, por ende asnjë gjë konkrete. Kjo të bën të dyshosh se gjatë rrugës dhe për vetë pozicionin tërheqës që ka kjo godinë t’i ndryshohet destinacioni e natyrisht edhe pronari, jo më shkollë për nxënësit por objekt për orekset e dikujt tjetër.

Këtë e shprehin edhe vetë sarandiotët që kanë 7 vite që presin hapjen, por nga viti në vit shtohet nga një premtim nga drejtuesit vendorë se së shpejti do vihet në punë, por përsëri ngelet në kuadrin e premtimit pa bereqet.

Ndërsa rreth 100 nxënës më pak në klasat e dhjeta, janë regjistruar këtë fillim të ri viti shkollor në institucionet arsimore të Gjirokastrës. Të dhënat zyrtare tregojnë një numër të njëjtë regjistrimesh në klasën e parë krahasuar me vitin e kaluar.

Gjirokastra, renditet ndër qarqet me numrin më të lartë të migrimeve dhe emigrimeve. Largimi i banorëve është reflektuar edhe në shifrat në rënie të nxënësve. Shumë shkolla në zonat rurale janë mbyllur përgjatë dekadës së fundit.

Shkollat rurale vazhdojnë të përballen me shifra në rënie të nxënësve. Këtë vit shkollor në shkollën e Nepravishtës janë regjistruar vetëm dy nxënës në klasën e parë, ndërsa në shkollën 9-vjeçare të Lunxhërisë, një ndër më të mëdhatë në zonat rurale të Bashkisë Gjirokastër, janë regjistruar vetëm 6 nxënës.