EMRI / Trafikonte kokainë nga Holanda në Itali, ekstradohet shkodrani me dy identitete! Ishte dënuar me rreth 15 vite burgim

Shqipëria i dërgon nën pranga Italisë nga aeroporti i Rinasit të kërkuarin për narkotrafik, i dënuar me rreth 15 vite burgim në mungesë nga drejtësia e vendit fqinj.

Interpol Tirana konfirmoi procedurën dhe marrjen nën pranga nga homologët e vendit fqinj ditën e sotme (19 Gusht), të 48-vjeçarit Armand Dani, i cili mbante edhe një identitet të dytë si Armand Isaj, banues në Shkodër.

Dënimi ndaj tij ishte dhënë një vit më parë nga Gjykata e Novarës, teksa i duhet të vuajë edhe rreth 12 vite izolim të mbetura. Ai akuzohet se bënte blerje dhe shitje të lëndës narkotike nga vendet e tjera dhe kryesisht Holanda, për tregun italian. Në vitin 2017 iu gjet edhe në banesë një sasi droge kokainë.

Dani ishte arrestuar më 1 Qershor 2023 në qytetin e Shkodrës, pas një operacioni bazuar në informacionet mbi urdhrin e kërkimit dhe lokalizimin e tij. Ai ishte banues në lagjen “Guerrile”, por u zbulua teksa fshihej në atë “Dobraç”.

“Gjykata e Novarës, më datë 1 Mars 2023, e ka dënuar ketë shtetas me 14 vjet, 8 muaj e 29 ditë burgim, për veprën penale “trafikimi i lëndëve narkotike”. Nga ky dënim, 48-vjeçarit i duhet të vuajë dhe 11 vjet, 8 muaj e 29 ditë burgim”, njoftoi Policia e Shtetit për rastin.

Referuar dosjes hetimore të vendit fqinj, rezulton se Dani (Isaj), “në bashkëpunim me të tjerë, siguronte lëndë narkotike kokainë në vende të tjera (kryesisht në Holandë), për ta shitur në Itali”. Në vitin 2017, në banesën e 48-vjeçarit, policia italiane gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike kokainë.


Shtuar 19.08.2024 15:27