Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka ankimuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve vendimin e KQZ-së për ti ndërprerë mandatin Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur në zgjedhjet e 14 Majit.
Sipas ankimimit të firmosur nga kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, Ilirijan Celibashi ka marrë një vendim të paligjshëm dhe në tejkalim të kompetencave, duke kërkuar rrëzimin e këtij vendimi.
Vendimi i KQZ është një akt administrativ i paligjshëm, pasi organi administrativ ka vepruar në tejkalim të kompetencave që i ka njohur ligji, ka shkelur dispozitat ligjore në lidhje me procedurën administrative, ka mungesë të elementëve të detyrueshëm të aktit administrativ, si pjesa arsyetuese e gjithë urdhërimeve të tij dhe ligji i zbatueshëm për efekt të vendimmarrjes konkrete, është në shkelje të dispozitave që rregullojnë ushtrimin e kompetencave të këtij organi, si dhe është pasojë e diskrecionit të ushtruar në mënyrë jo të ligjshme, si i tillë duhet të anullohet”, shkruhet në ankimim.
Më tej, në akimim jepen edhe argumentet ligjore, se kur mund të ndërpritet mandati i një kryebashkiaku dhe se për KQZ-në nuk ka asnjë parashikim ligjor që mund të iniciojë apo të marrë një vendim të tillë.
“Rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit janë taksative, dhe kanë të bëjnë me rrethana të tilla objektive si pazotësia e kryetarit të bashkisë për të ushtruar detyrën, për shkak të vdekjes, humbjes së zotësisë për të vepruar, apo rrethana subjektive, refuzimi i kryetarit të zgjedhur të kryejë betimin, mosbanimi në të njëjtën bashki ku është zgjedhur kryetar, kandidon për deputet, jep dorëheqjen, apo shkarkohet nga Këshilli i Ministrave sipas nenit 62 të të njëjti ligj. Në të gjitha këto raste, procedura nuk kalon nëpërmjet KQZ, por këshilli bashkiak (neni 61/3) njofton prefektin, i cili nga ana e vet njofton këshillin e Ministrave, i cili njofton Presidentin, që zbaton Kodin Zgjedhor. Pra KQZ është hallka e fundit pas Presidentit, për efekt të zbatimit të Kodit Zgjedhor”, thuhet në akimim.
Në ankimin ngrihet pikpyetje edhe mbi nisjen e kësaj procedure, pasi shtetasi Eugen Likaj që ka bërë kërkesën nuk e ka patur këtë tagër, madje as kërkesa nuk ka qenë e plotë, apo e plotësuar me gjeneralitetet e kërkuesit.
“Kërkesa e shtetasit Eugen Likaj, nuk plotëson elementët minimalë formalë për t`u pranuar për shqyrtim nga KQZ, pasi nuk përmban gjeneralitetet e kërkuesit, apo adresën e tij, pra nuk ka asnjë të dhënë për ta identifikuar nëse është shtetas real, nëse është votues, nëse ka zotësi për të vepruar, etj”.
Edhe sa i përketë arsyes së ndërprerjes së mandatit, KQZ ka vepruar në paligjshmëri, pasi baza ligjore e përdorur nuk e pengon z. Beleri në ushtrimin e detyrës.
“Ligji parashikon se ndalimi për të kandiduar, zgjedhur apo ushtruar funksionin konstatohet duke u nisur nga të dhënat e formularëve të vetdeklarimit, pra për fakte të cilat kanë ndodhur para kandidimit dhe nuk janë deklaruar në formularin përkatës të nxjerrë në zbatim të ligjit nr. 138/2015. Në lidhje me pengesa të tjera që mund të kenë subjektet që nuk kanë lidhje me formularët e vetdeklarimit, për fakte juridike, ngjarje, të cilat ndodhin pas dorëzimit të formularit të vetdeklarimit janë ligje të tjera, organe të tjera kushtetuese që ushtrojnë funksionin, por nuk është Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve”, citohet gjithashtu në ankimim.