Mediat në Spanjë: Një klub anglez ka ofruar 27 milionë euro për Armando Brojën

Armando Broja është në shitje dhe këtë nuk e hedh poshtë as fakti se sulmuesi ka udhëtuar me Çelsin drejt SHBA për të marrë pjesë në turin që po zhvillojnë atje blutë londinezë.

Klubi i Çelsit është i interesuar të shesë futbollistin për të rregulluar bilancet dhe me sa duket ka marrë një ofertë të rëndësishme financiare për të.

Megjithatë, informacionet për këtë ofertë nuk vijnë nga Anglia, por nga Spanja, ku emisioni më i njohur televiziv sportiv “El Chiringuito”, ka njoftuar se ka një ofertë zyrtare për sulmuesin nga një klub tjetër i Premier Ligës, që nuk bëhet ende i njohur.

“Një ekip i Premier Ligës ka realizuar një ofertë prej 27 milionë eurosh për Armando Brojën. Çelsi është i hapur për shitjen e sulmuesit shqiptar.

Negociatat po vazhdojnë”, sqarohej në emisionin televiziv dhe në rrjetet sociale të tij sipas të dhënave të siguruara nga gazetari Gonzalo Tortosa, i cili është i njohur për çështjet e merkatos së futbollistëve.


Shtuar 31.07.2024 18:41