“Erdha nga Amerika të ndihmoj Himarën”, flet Petro Gjikuria: Mbështetja e Belerit është nder shumë i madh për mua…

Kandidati i opozitës për Himarën, Petro Gjikuria ka shoqëruar ditën e sotme eurodeputetin, Fredi Beleri në ambientet e burgut të Fierit ku ai do të kryejë pjesën tjetër të mbetur të dënimit. Beleri u rikthye në burg 5 ditë pasi mori leje për të bërë betimin e tij si eurodeputet në Strasburg.

Gjatë fjalës së tij para mediave, Gjikuria tha se i është përgjigjur thirrjes së kryeministrit për t’u kthyer në atdhe dhe për të kontribuar për vendin. Ai shtoi se mbështetja e Fredi Belerit, për të është një nder i madh për të.

“Erdha nga Amerika, iu përgjigja thirrjes së kryeministrit që thotë të kthehen emigrantët të ndihmojnë vendin e tyre, që të ndihmoj Himarën”, tha ai.

Gjikuria shtoi se Himara ka një eurodeputet dhe se 4 gusht do të ketë edhe kryetarin e saj të Bashkisë.

“Përpjekjet e Fredi Belerit për demokraci dhe për shtet të lirë duhet të jenë frymëzim për të gjithë ne. Mbështetja e Fredi Belerit, më nderon, është nder shumë i madh për mua.

Himara ka një eurodeputet, Fredi Belerin dhe me 4 gusht do të ketë edhe kryetarin e saj të Bashkisë. Kemi filluar fushatën, do i bredh të gjitha fshatrat, jam i sigurt që jam një bir himariot, i lindur në Himarë dhe e shikojë që më përkrahin”, tha ai.


Shtuar 20.07.2024 19:47