SPAK pushon për herë të dytë kallëzimin e Olsi Ramës kundër Bardhit. Vëllai i Ramës u njoh sot me vendimin

Është pushuar për herë të dytë radhazi kallëzimi penal që Olsi Rama, depozitoi në SPAK kundër kryetarit të Grupit Parlamentar të Rithemelimit Gazment Bardhi, të cilin e akuzonte për “Kallëzim të rremë”.

Gazment Bardhi, disa kohë më parë ka çuar në SPAK në formën e indicies një material hetimor të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kur raportet e vëzhgimit të policisë kriminale kishin kapur vëllain e Edi Ramës, Olsi Ramës, që lëvizte me një automjet i cili besohej se përdorej dhe nga disa persona të përfshirë në trafikun e drogës.

“Ora News” ka mësuar nga burime brenda SPAK, se vendimi për mosfillimin e hetimeve është marrë nga prokurori, Sotir Kllapi, i cili mësohet se këtë vendimmarrje ia ka depozituar sot dhe Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama.

Për herë të parë kallëzimi i Olsi Ramës kundër Bardhit, është mosfilluar në datën 17 Prill 2024, ku prokuropri i SPAK Elvin Gogaj, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal.

Arsyetimi i prokurorisë së posaçme, ka qenë se Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim, dhe në rast se nuk ka një kallëzim, nuk është targetin e SPAK, pasi kjo mund të zgjidhet në rrugë gjyqësore për shpifje apo cenim të imazhit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kjo çështje është kompetencë e gjykatës nëse një palë i drejtohet.

Olsi Rama kallëzoi Gazment Bardhin me pretendimin se ka shpifur ndaj tij në lidhje me përfshirjen e tij në grupin e kokainës së “Xibrakës”.

Por sapo është njohur me mosfillimin e hetimeve sërish Olsi Rama, i është drejtuar me një kallëzim të dytë, duke pretenduar dhe futur një provë të re që lidhet me një status të Gazment Bardhit të bërë më 8 maj në “Facebook”, ku kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, thotë se SPAK e ka njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve.

Por edhe pas këtij pretendimi prokurori i çështjes Sotir Kllapi, ka vendosur të mosfillojë hetimet lidhur me kallëzimin penal që Olsi Rama, kishte depozituar kundër Gazmend Bardhit.


Shtuar 28.06.2024 14:43