Këshilltarja demokrate e Bashkisë Shkodër, Eliona Kodra Shkreli nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka ngritur shqetësimin për rrugët dhe rrugicat e përmbytura, ku thekson se shërbimet ndaj qytetit dhe qytetarëve janë vetëm në kuadër të fotove e videove propagandistike të kryebashkiakut Beci.
Postimi i plotë nga Eliona Kodra Shkreli:
Pak minuta shi dhe Shkodra përmbytet në çdo rrugë e rrugicë të saj…
Kjo është situata e mëngjesit të sotëm në Shkodër me rrugë të përmbytura pasi shërbimet ndaj qytetit dhe qytetarëve janë vetëm në kuadër të fotove e videove propagandistike!
Ajo që e bën edhe më qesharake situatën është se Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime propozon edhe rritje të tarifave të ujit të pijshëm ndërkohë që nuk kryen as shërbimin më minimal të pastrimit të kanaleve në mënyrë që rrugët kryesore të mos mbushen me ujë e të bëhen të pakalueshme sa herë ka reshje shiu.
Shkodra më keq se kurrë…Në fakt rilindasit e Ramës e kanë faktuar se prioritet kanë pasurimin vetjak me pasurinë e popullit. Taksat e mbledhura nuk shkojnë në shërbim të qytetarit por në shërbim të xhepave të drejtuesve dhe shefave, dhe këtë e tregon situata e Shkodrës e pas 14 Majit!