BBC: Rojet bregdetare greke hodhën 40 emigrantë në det duke u shkaktuar vdekjen

“Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe gjatë një periudhe trevjeçare, duke përfshirë nëntë të cilët u hodhën qëllimisht në ujë”, ka denoncuar prestigjiozja britanike BBC, duke cituar dëshmitarë.

Të nëntë janë në mesin e më shumë se 40 personave që dyshohet se kanë vdekur, si pasojë e dëbimit me forcë nga ujërat territoriale greke ose që janë nxjerrë sërish në det pasi arritën në ishujt grekë, sipas BBC.

Roja bregdetare greke, ka kundërshtuar të gjitha akuzat për veprimtari të paligjshme.

Media britanike, shkruan se ka publikuar pamjet e 12 personave, duke u futur në një varkë të rojes bregdetare greke dhe më pas janë braktisur në një gomone.

Qeveria greke është akuzuar prej kohësh se i ka kthyer emigrantët me detyrim, duke i shtyrë drejt Turqisë, prej nga kanë kaluar, gjë që është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Por, BBC ka publikuar shifrat që tregojnë se emigrantët kanë vdekur rezultat i veprimeve të rojes bregdetare greke.


Shtuar 17.06.2024 10:08