Berisha: Të bashkohemi për të përmbysur regjimin dhe krijuar qeveri teknike

Kreu i Partisë demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij para mbështetësve ka paralajmëruar regjimin e Edi Ramës se ai që do preki votën e shqiptarëve do duhet të lërë kokën. Gjithashtu Berisha u shpreh se duhet të bashkohemi për të përmbysur regjimin dhe krijuar qeveri teknike.

“Nuk ka gjë më vetëposhtëruese. Nuk ka gjë më të pafalshme se kur e sheh me sytë e tu se Edi Rama me patronazhistë, me aktivistë, me dhjetëra milionë euro, me banditë nga të katër anët e vendit, me përjashtime nga listat, të vjedh zgjedhjet, të vjedh votën dhe ti nuk ngrihesh. Vetëmashtrohesh, flet për zgjedhje, flet për votë, flet për kandidatë me xhelatin e zgjedhjeve në pushtet. Me xhelatin e votës së lirë në pushtet. Qytetarë dhe qytetare, koha është t’u kthehemi himneve tona të lirisë. Himnet e lirisë thonë, ja të vdesim ja të rrojmë për liri.

Ja të vdesim ja të rrojmë për votën e lirë. Votën e lirë nuk ta sjell njeri. Ai që prek votën, duhet të lërë kokën.
Kush prek votën, duhet të lërë kokën. Votën e lirë nuk ta mbron njeri. Vota e lirë ka një armik, një armik mizor, dhe ky quhet Edi Rama. Atëherë do lejojmë ne, do qëndrojmë ne opozitë në letër apo opozitë mosbindje civile, dhëmb për dhëmb gjersa ta mposhtim të keqen. U bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, u voni të vërtetën vetes suaj dhe njëri-tjetrit, u thoni të vërtetën qytetarëve se me Edi Ramën, vota jonë ka zero vlerë.

Se me Edi Ramën, nuk ka zgjedhje. Se me Edi Ramën, në zgjedhje firmosin mandatin e tij. Turpin tonë, nënshtrimin tonë, poshtërimin tonë kurrë nuk duhet ta pranojmë. Pse jeni ju këtu mbi 160 ditë? Ju jeni këtu në mbrojtje të të vërtetave që besoni. Për një shoqëri të lirë, e vërteta e të gjitha të vërtetave është vota e lirë e qytetarëve. Atëherë të bashkohemi për të përmbysur regjimin, qeveri teknike, zgjedhje të lira,” tha Berisha.


Shtuar 13.06.2024 21:26

Tags: