Sulmuesi i Kosovës, Ermal Krasniqi, ka kaluar zyrtarisht te skuadra e tij e re, Sparta Prague e Çekisë.
Lajmin e ka konfirmuar klubi i tij i ri, i cili tha se ndjen kënaqësi me transferimin e 25-vjeçarit.
Në njoftim thuhet se përfaqësuesi i Kosovës iu bashkua Spartës nga Rapid Bucharesti, ku ai shfaqi aftësinë e tij duke shënuar gjashtë gola dhe duke regjistruar tre asiste në gjashtë muajt e fundit.
“E sjellim Ermalin për shkak të tipologjisë së tij. Ai është një lojtar i shpejtë dhe dinamik. Në disa ndeshje, veçanërisht në garat e UEFA-s, ne ndjemë se na mungonte më shumë shpejtësia – dhe Ermali do të na ndihmojë në këtë drejtim”, shpjegon transferimin e parë para nisjes së sezonit 2024/2025, drejtori sportiv i AC Sparta Praga Tomash Rosicky. “Ai është mësuar të luajë në disa pozicione në pjesën sulmuese. Ai është gjithashtu i rrezikshëm për kundërshtarët sepse di të shënojë dhe të përgatisë një gol”.
Debutimi senior i Ermalit ka ndodhur në sezonin 2018/2019, ku ai si 18-vjeçar pati 10 paraqitje për KF Ferizajn, dhe menjëherë prezenca e tij u vu re duke shënuar gjashtë gola.