Përmbyset furgoni i pasagjerëve në hyrje të tunelit të Murrizit, katër të plagosur, 1 në gjendje të rëndë

Një furgon i transportit publik i cili po udhëtonte nga Peshkopia në drejtim të Tiranës është përmbysur në hyrje të tnuelit të Murrizit.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur rretho orës 14:00 të kësaj të marteje teksa furgoni me pasagjer ka qenë duke hyrë në byppasin e Murrizit, kur ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në hyrje të tunelit.

Katër persona kanë mbetur të plagosur nga ky aksident ku kanë marrë ndihmën e parë në qendrën shëndetësore të Klosit.

Mjekja e urgjencës pranë kësaj qendre shëndetësore, Denada Çupa tha se një nga të plagosurit është në gjendje më të rëndë pasi ka pësuar fraktura në brinjë dhe në shpatull.

Pacientja e moshës 52 vjeçe është nisur me urgjencë drejt spitalit të traumës në Tiranë, ndërsa të plagosurit e tjerë janë transportuar më pas për ekzaminime më të hollësishme pasi gjendja paraprake e tyre është e mirë.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Ndërkohë në deklarimet e para, mësohet se drejtuesi i mjetit furgon është shprehur se ka shmangur përplasjen me një tjetër mjet që vinte në anën e kundërt.


Shtuar 28.05.2024 17:37