“Të gjithë goditen, veç Ramës”, Dumani i përgjigjet Alibeajt: Ecim ngadalë të mos bëjmë autogol

Në Komisionin e Ligjeve kreu i SPAK, Altin Dumani, është pyetur nga deputeti i PD-së në Enkeljed Alibeaj se në opinion është krijuar mendimi se të gjithë janë goditur veç Ramës. Dumani tha se SPAK nuk mund të plotësojë orekset mediatike, ndërsa duhet të ketë prova që të nisen hetimet.

Alibeaj: Ka të goditur nga opozita por s’ka të goditur nga pozita. Sot  ka të proceduar nuk ka asnjë gjë publike lidhur me kryeministrin, perceptimi sipas opinionit publik është i tillë gjithçka është e goditur, përveç kryeministrit. Besoj se shpejtësia në procedimet penale duhet të jetë e tillë që të vendosë po të krijojë dhe të japë sinjale besimi të publiku se askush pavarësisht postit që mban është mbi ligjin. Jeni viktimë e suksesit tuaj!

Dumani: S’mund të plotësojmë orekset mediatike ne nuk kemi axhendë. Për ne pak rëndë i ka emri, por prova ka rëndësi edhe ju jeni jurist dhe prova prevalon me çdo gjë, këtë po demonstrojmë brenda ditës dhe po ecim me hapa të ngadaltë që të mos bëjmë autogol.

Sa i përket deputetëve të cilët gëzojnë imunitet, Dumani tha SPAK nuk i ka duart e lidhura për t’i hetuar.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, drejtuesi i SPAK u shpreh se është e mirëpritur çdo iniciativë për lehtësimin e hetimit, por theksoi se pengesat janë të pakta.

Altin Dumani nënvizoi se heqja e kufizimit të kontrollit do të ishte lehtësim për punën e prokurorëve të posaçëm.

Dumani: Lidhur me imunitetin parlamentar ne zbatojmë dispozitat aktuale, është e mirëpritur çdo iniciativë për lehtësimin apo heqjen e atyre pak pengesave, sepse duhet të jemi realistë pak pengesa kemi sa i përket çështjes së imunitetit. Ne jemi të lirë të hetojmë dhe kjo është gjëja më e madhe që është arritur.

Nuk i kemi duart e lidhura për të hetuar një person që ka imunitet. Momenti tjetër është ai i kontrollit dhe arrestimit. I mirëpritur nga ana jonë ndoshta do të ishte lehtësimi nëpërmjet të paktën heqjen e kufizimit që ka të bëjë me kontrollin. Është mjet kërkimi prove. Për të gjetur prova duhet të kërkosh./albeu.com


Shtuar 22.05.2024 13:21