Ne foto Durim Bami
Megaoperacioni i sotëm i SPAK ka sjellë goditjen e 7 grupeve kriminale në Shqipëri, duke vënë në pranga 20 persona nga 50 urdhër-arreste të lëshuara.
Ndërkohë që janë sekuestruar më shumë se 4.5 milionë euro pasuri, ku afërsisht 3 milionë euro janë gjetur cash.
Nga dosja e SPAK kanë dalë lidhjet e grupeve kriminale me njëra-tjetrën, por edhe ato politike si dhe me zyrtarë të lartë të policisë.
Në dosje evidentohet marrëdhënia e ngushtë që i “Forti” i Niklës, Durim Bami kishte me ish-efektivin e RENEA-s, Altin Morina, i cili në marsin 2023 u arrestua me 113 mijë euro në makinë.
Sipas dosjes së SPAK Bami dhe Morina organizonin kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.
“Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi D.B., në bashkëpunim me shtetasin A.M. (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës”, thuhet në dosje.
Më 14 Mars të atij viti efektivi i RENEA-s Altin Morina u arrestua në zonën e Kodrës së Diellit teksa po lëvizte me automjetin tip ‘Audi’, brenda së cilës kishte shumën e parave dhe 4 celularë që u sekuestruan në cilësinë e provës.
Ndërkohë efektivi tjetër i RENEA-s është Ardjan Pikli i cili ka qenë efektiv RENEA-s deri në 2021 dhe është i arrestuari në Gjermani./albeu.com