Pikturën e saj ia dërgoi Papës, Presidenti Begaj viziton Kishën e Rubikut/ Dom Gjergj Meta vlerëson dhuratën e kreut të shtetit për Atin e Shenjtë

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ishte sot në Mirditë duke u pritur nga drejtues, sipërmarrës dhe përfaqësues të institucioneve arsimore e kulturore, si dhe klerikë e banorë të kësaj treve me kontribut të rendësishëm në vetëdijen kombëtare të vendit.
Vizita e Presidentit Begaj u përmbyll në në kishën monumentale e t’Shëlbuemit në Rubik, pikturën e së cilës ia dhuroi Papa Françeskut gjatë vizitës së fundit në Vatikan. Me herët, Presidenca kishte shpërndarë fotografi të momentit të dhurimit të kësaj pikture nga Presidenti Begaj ndaj Papës.
Begaj e cilësoi këtë kishë si ikonë e krishtërimit shqiptar dhe një ndër vendet e kultit më të vjetra në Ballkan për të krishterët.
Dhurata e Presidentit Begaj ndaj Papës mori një pjesë të vëmendjes në takimin Presidentit me kryebashkiakun e Mirditës, Albert Mëlyshi, deputetët e zonës nga PS dhe PD, si edhe Ipesheshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, i cili u shpreh i emocionuar nga ky gjest.
Gjatë vizitës, Presidenti Begaj tha se “Mirdita është një pasuri e Shqipërisë, jo vetëm e trevës, për shkak të historisë, kulturës, trashëgimisë, jo vetëm historike, kulturore e sociale, por edhe asaj shpirtërore”, ndërsa shtoi se kjo zonë është vendi tipik ku mund të bëhet turizëm i lidhur direkt me religjionin.
Presidenti Begaj vijon takimet me qytetarë të zonave të ndryshme brenda vendit si edhe shqiptarë jashtë kufijve.


Shtuar 16.05.2024 21:28