Sulmi ndaj kryeministrit sllovak, reagon Rama: I tronditur nga lajmi i tmerrshëm

Kryeministri i vendit Edi Rama, ka reaguar i tronditur pas sulmit me armë që iu bë pasditen e sotme homologut të tij sllovak Robert Fico.

Rama, përmes një postimi në platformën X dënon sulmin dhe i ruon Ficos shërim të shpejtë.

Edi Rama: I tronditur nga lajmi i tmerrshëm i sulmit të neveritshmëm ndaj kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Sllovakisë. Roberti është një i mbijetuar i fortë dhe një mik i dashur, dhe unë shpreh urimet e mia të përzemërta për një shërim të shpejtë dhe një rikthim të jashtëzakonshëm.

Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico, u plagos nga të shtënat me armë zjarri dhe u dërgua në spital pasditen e sotme.

Incidenti ndodhi në qytetin Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit, sipas stacionit televiziv të lajmeve TA3.

Tentativën për vrasjen e kryeminsitrit e konfirmoi ministria e Punëve të brendshme e cila bëri të ditur se Fico është qëlluar me katër plumba në pjesën e barkut e stomakut, njëri prej të cilëve i rrezikon jetën.

Pas të shtënave ai u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe u transportua me helikopter në spitalin e qytetit Handlova, ku iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale.

Autori i cili u arrestua menjëherë, është identifikuar si Juraj Cintula, 71-vjeç. Sipas mediave lokale ai është shkrimtar dhe aktivist ndërsa nuk dihet ende motivi që e shtyu drejt krimit.

Ngjarja ka tronditur komunitetin ndërkombëtar. Krerë shtetesh e zyrtarë të lartë në Europë e SHBA kanë dënuar njëzëri sulmin ndaj kryeministrit Fico.

Robert Fico, 59 vjeç u zgjodh kryeministër i Sllovakisë për herë të tretë në zgjedhjet e 2023 përmes një fushate me premtime se do të ndërpriste ndihmat ndaj Ukrainës./albeu.com


Shtuar 15.05.2024 19:28