Arsenali vazhdon si lider me fitoren minimale, i jep goditje të rëndë shpresave të Man United për në Evropë

Arsenali ka triumfuar 1-0 në udhëtim te Manchester United në kuadër të javës së 37-të në Ligën Premier.

Pas 20 minutash lojë, Gunner kaluan në epërsi me golin e Leandro Trossard, që u asistua prej Kai Havertz.

Ben White lëshoi një goditje të fortë në minutën e 29-të, por që topi shkoi ngjitur me shtyllën horizontale.

Ishte një lojë e barabartë në 45 minutat e parë, por Djajtë e Kuq nuk arritën të konkretizonin rastet e tyre.

Në pjesën e dytë, Arsenali sërish ishte skuadra që sulmoi, ndërsa Man United po priste gabimin e londinezëve.

Rasti i parë serioz i United ishte në minutën e 77-të, kur Alejandro Garnacho ishte brenda zonës mysafire, por nuk ia doli të shënonte.

Gabriel Martionelli (79’) dhe Declan Rice (83’) lëshuan shanse të arta shënimi, pasi që të dy ishin në afërsi të portës, mirëpo nuk ia dolën ta fusnin topin në rrjetë.

Mekëtë fitore, Arsenali vazhdon të jetë lider me 86 pikë, një më shumë se Man City që ka një ndeshje më pak, ndërsa Man United është në të tetin me 54 sosh.

Arsenali në ndeshjen e fundit për këtë sezon do të luajë përballë Evertonit, ndërsa Manchester United takohet me Newcastlen, por që ka edhe dy ndeshje deri në fund. /Telegrafi/


Shtuar 12.05.2024 20:56