VIDEO/ Gruaja dhe 3 fëmijët iu mbytën në lumë, Erdgys Arrazi mbërrin në Gjykatën e Shkodrës

Erdgys Arrazi, i cili dyshohet se shkaktoi vetëvrasjen e bashkëshortes dhe fëmijëve të tij ka mbërritur mesditën e sotme në Gjykatën e Shkodrës. Me kapuç në kokë dhe me kokën ulur, ai shihet teksa del nga makina, i shoqëruar nga oficerët e policisë.

Erdgys Arrazi dyshohet se çoi drejt vetëmbytjes bashkëshorten e tij Alma Arrazi 39-vjeçe. Dyshohet se disa ditë më parë Alma mori vendimin ekstrem për t’i dhënë fund jetës së saj por jo vetëm. 39-vjeçarja mori tre fëmijët e saj 3, 8 dhe 9 vjeç dhe u hodhën në lumin Buna.

Deri tani janë gjetur trupat e 3 fëmijëve, teksa vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 39-vjeçares.

Sipas hetimeve të deritanishme dyshohet se Erdgys Arrazi ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj Almës dhe fëmijëve, kështu ka pretenduar motra e Amës në polici.

Gjithashtu mendohet se Erdgysi kishte lidhje jashtëmartësore, por familjarët e tij pretendojnë se diçka e tillë nuk është e vërtetë. Ata kanë thënë se 31-vjeçari i adhuronte fëmijët e tij, ndërsa kanë thënë se nuk do ia falin kurrë nuses. Sakaq ata kanë pranuar se mes çiftit ka patur debate kohët e fundit.


Shtuar 7.05.2024 12:37