“Jam i gatshëm kurdo dhe kudo”, Joe Biden gati për debat me Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha të premten se ai do të merrte pjesë në një debat me Donald Trump-in, kundërshtarin e tij republikan për zgjedhjet e nëntorit.

“Jam i gatshëm. Nuk e di kur”, tha presidenti demokrat në një intervistë me prezantuesin Howard Stern. “Do të debatoja me kënaqësi me të”.

Këto ishin deklaratat më të qarta të Presidentit Biden mbi mundësinë e një debati presidencial. Presidenti Biden nuk kishte shfaqur gatishmëri për të debatuar me zotin Trump, duke thënë muajin e kaluar se një gjë e tillë do të varej nga sjellja e ish-presidentit.

Javët e fundit zoti Trump ka sfiduar zoti Biden që t’i dalë përballë në debat, duke u shprehur i gatshëm të debatojë me Presidentin demokrat aktual “kurdo dhe kudo”.

Në fillim të këtij muaji, dy këshilltarët kryesorë të ekipit të fushatës së zotit Trump i dërguan një letër një komisioni të pavarur që normalisht përcakton ngjarje të tilla, duke kërkuar përshpejtimin e kalendarit të debateve dhe realizimin e më shumë se 3 të tillëve që zhvillohen zakonisht.

Dhjetëra organizata mediatike i kanë bërë thirrje kandidatëve që të zotohen publikisht për një debat përballë njëri-tjetrit.

Deklarata sugjeronte që shpenzimet për organizimin e debateve për garën aktuale të përballoheshin nga Komisioni jo partiak për Debatet Presidenciale, ashtu siç ka ndodhur në çdo cikël zgjedhor që prej vitit 1988.

Zoti Biden udhëheq për sa i përket mbështetjes nga votuesit e regjistruar, në nivelin 41 për qind përballë 37 për qind që ka zoti Trump, sipas një ankete të bërë nga kompania e anketimeve Ipsos dhe agjencia e lajmeve Reuters, më herët gjatë këtij muaji.

Zoti Biden dhe zoti Trump u përballën me njëri-tjetrin në dy debate televizive presidenciale gjatë fushatës së vitit 2020./ voa


Shtuar 27.04.2024 09:00

Tags: , ,