Koncesionet në Shëndetësi debate dhe batuta për planin e hetimit mes PS-së dhe opozitës në komision

Në mbledhjen e Komisionit Hetimor për Kontratat e Partneritetit Publik Privat në Shëndetësi, nënkryetari Plarent Ndreca, deklaroi se mazhoranca jo vetëm që nuk e ka bojkotuar këtë komision, por kanë punuar për një Plan Hetimor të detajuar.

“Më vjen shumë keq që e nisni me deklarata politike. Shumica nuk e ka bojkotuar këtë komision. Thirrjet e mbledhjeve nuk mund të jenë të njëanshme. Jo vetëm që nuk e kemi bojkotuar, por kemi punuar intensivisht me një Plan Hetimor, atë që ju nuk e keni bërë prej vitesh. Ta fillojmë mbarë mbledhjen duke miratuar fillimisht rendin e ditës dhe pastaj vijojmë me pikat e tjera”, deklaroi Ndreca.

Ndërkaq deputetja Ina Zhupa, në një përgjigje ndaj Sekretarit të Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, tha se shqiptarët e kanë ndarë tashmë se cili është për të bërë punët dhe cili jo.

Ajo shtoi se mazhoranca ka bojkotuar katër herë punën e komisionit.

Debatet:

Albana Vokshi: “E kanë kërkuar fjalën zonjat. Po e morët fjalën tani, s’do e merrni më”!

Plarent Ndreca: “Mendoj që t’ua kursejmë këtë njëri-tjetrit. Ata mund ta kërkojnë fjalën sa herë të duan, dhe nuk është kryetari që e përcakton këtë gjë. Unë them t’i kursejmë këto debate. Jemi këtu për të ndërtuar një proces të rregullt ligjor. Një pjesë e të pranishmëve e kanë përcaktuar fundin e komisionit, por ne nuk tallemi”.

Edmond Spaho: “Rendi i ditës ka 2 javë që ju është bërë i ditur. Edhe nëse keni pasur ndonjë rezervë për renin kishit kohë të kontaktonit zonjën Vokshi. Ta lësh për ta diskutuar këtu nuk është normale. Të vijojmë me rendin”.

Petro Koçi: “Të flasim ne”?

Albana Vokshi: “Tua lëmë radhën zonjave…”.

Petro Koçi: “Por kanë folur tre nga ana tjetër. Ti nuk je e paanshme vetëm nëse ke ikur nga PD. PD quhesh ti…”.

Klevis Xhoxhi, sekretar: “Besoj është e qartë, por edhe publiku e ka të qartë se cila palë ka ardhur për të bërë punë dhe cila zhurmë”.

 Ina Zhupa: “Tërheq vëmendjen e sekretarit të komisionit për një gjuhë aspak etike. Ku e merrni këtë të drejtë për t’u drejtuar ashtu një zonje. Se kush është për punë, dhe kush për të vjedhur, këtë e kanë ndarë shqiptarët. Ju nuk keni shprehur asnjë kundërshtim se pse nuk do të donit atë datë apo një orë tjetër. Ju keni vendosur të bojkotoni këtë komision. Ne vijmë në mbledhje, se ka një rend dite. Nuk vijmë në mbledhje për të vendosur rendin e ditës, apo të shtyjmë kohën. Shqiptarët e dinë se pse kanë bojkotuar zgjedhjet”.


Shtuar 23.04.2024 13:53