Asllani vlen 16 milionë euro, yllit të Kombëtares i rritet ndjeshëm vlera

Në Kombëtare është sot numri 2. Flasim për hierarkinë në bazë të vlerës së kartonit, dhe Kristjan Asllani lihet prapa vetëm nga Armando Broja.

Mesfushori i Inter ka marrë jo vetëm lavdërime, por edhe më shumë minuta muajt e fundit, dhe kjo është reflektuar edhe në vlerën e tij profesionale.

Kartoni i 22-vjeçarit arriti për herë të parë në 16 milionë euro, shifër që agjencia e specializuar “Transfermarkt” ia dha në 14 mars.

Në 20 dhjetor, kartoni i Asllanit shkonte në 14 milionë euro, ndërsa në qershor të vitit të kaluar ishte 12 milionë.

Interi pagoi 10 milionë euro për shërbimet e shqiptarit, kur e mori verën e 2022-it nga Empoli, ndërsa vlen të theksohet se rritja ishte meteorike, sepse vetëm në mars të atij viti, kartoni i Kristjanit ishte vetëm 3.5 milionë euro.

Kjo do të thotë se në dy vjet, Asllani gati e ka pesëfishuar vlerën e tij profesionale si futbollist.

Ai sot është lojtari i 11-të më i vlefshëm i Inter, diçka jo e vogël te skuadra që është në prag fitimit të titullit të Serie A dhe që vjet arriti finalen e Champions League.

Po ashtu, ai është i 74-ti lojtar më i vlefshëm në kampionatin italian, ku luajnë rreth 500 futbollistë, ndërsa është ndër 50 më të mirët mesfushorë mbrojtës në botë, dhe ndër lojtarët e lindur në vitin 2002.


Shtuar 23.03.2024 16:57