Luftë për kokainën në Tiranë, reagon Balla: Toleranca është zero…

Një ngjarje e rëndë është shënuar në mesnatë, në zonën pranë Lidhjes së Skrimtarëve, në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Gjatë një operacioni për arrestimin e një trafikanti droge (i cili po transportonte 1 kg kokainë) në momentin e ndalimit, nuk i është bindur thirrjes së policisë dhe i ka dhënë shpejtësi mjetit të tij, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.

Në këtë moment, njëri nga punonjësit e policisë në vetëmbrojtje ka qëlluar dhe e ka plagosur trafikantin, i cili më pas është dërguar në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq, policia bën me dije se janë arrestuar dhe dy persona që ndodheshin në makinë me të plagosurin, ndërsa AMP ka nisur një hetim për policin që përdori armën ndaj agresorëve, që tentuan të largohen duke rrezikuar jetën e efektivëve.

Mesohet se personi i plagosur quhet Enea Sulejmani dhe është plagosur në inde të buta, plumbi nuk i ka prekur asnjë organ jetësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ndodhet Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj.

Për këtë ngjarje, ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla me anë të një postimi në “Facebook”:

“Ndërsa Policia e Shtetit vijon goditjen e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike #PaketaeSigurisënëshkolla #Tempulli2 pak momente më parë gjatë një operacioni të njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, personat e dyshuar për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në përpjekje për tu larguar kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka vepruar sipas ligjit duke iu kundërpërgjigjur sulmit.

Si Ministër i Brendshëm duhet të rikujtoj se kushdo që nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të punonjësit të policisë, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën (siç ndodhi sonte) në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca është ZERO. Policia e Shtetit ka gjithë mbështetjen për të vijuar goditjen e krimit, në të gjitha format e tij“.


Shtuar 22.03.2024 08:15