Dogana dhe Policia e Maqedonisë konfiskojnë 22 automjete luksoze me targa të huaja

Drejtoria e Doganave njofton se në një aksion të përbashkët dyditor me Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë konfiskuar 22 automjete me targa të huaja të drejtuara nga shtetas të Maqedonisë.

Veturat e sekuestruara janë të markave të ndryshme dhe prej tyre katër janë të markës Mercedes, tre janë të markës AUDI, dy janë të markës BMW, një automjet mallrash për pasagjerë është e markës TESLA etj., dhe të gjitha automjetet janë drejtuar nga shtetas të Maqedonisë në territorin e vendit për më shumë se 6 muaj.

“Ndaj kryesve të kundërvajtjeve do të paraqitet kërkesë për fillimin e procedurës për kundërvajtje, në gjykatën kompetente”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

“Përkatësisht, në përputhje me kompetencat ligjore të Drejtorisë doganore, të cilat janë në përputhje me kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Stambollit për import të përkohshëm, dispozitat e Ligjit doganor dhe dispozitat e Dekretit për zbatimin e ligjit doganor, qytetarët e RMV-së dhe të huajt mund të importojnë dhe drejtojnë përkohësisht një automjet në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre, por më së shumti 6 muaj në një periudhë 12-mujore, pas çka automjeti duhet të largohet nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Përndryshe, ata do të duhet të paraqiten në zyrën doganore më të afërt në vendin ku qëndrojnë përkohësisht dhe të fillojnë procedurë të përshtatshme doganore për import ose import të përkohshëm të automjetit”, njoftojnë nga Drejtoria e Doganave.


Shtuar 18.03.2024 12:01