FOTOT E RRALLA/ Vallet rituale të Ditës së Verës në Dardhën e vitit 1932

Festimet e Ditës së Verës janë zhvilluar në vendin tonë gati në gjithë territorin. Ndërsa 14 Marsi krijoi atmosferë festive në shumë qytete të vendit, drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore në Korçë solli për publikun fotot e rralla të fotografit Kristaq Sotir që tregojnë festimet e kësaj dite në Dardhë në vitin 1932.

Riti i Ditës së Verës është një nga festat më popullore, më të përgjithshme, më të lashta dhe nga më origjinalet. Thuhet se Dita e Verës është festë e veçantë e qytetit të Elbasanit por pavarësisht kësaj kjo festë kremtohet në të gjithë Shqipërinë.

Në foto shihen gra e burra duke kërcyer. Sipas DRTK Korçë, vallet rituale të Ditës së Verës janë valle të krijuara enkas për këtë ditë dhe përfshihen në një nën-ndarje të rëndësishme siç është ajo e valleve të festave kalendarike.

Këto valle, si pjesë e rëndësishme e këtij rituali janë dokumentuar dhe në fotografinë e Kristaq Sotirit, pikërisht në Dardhë, në sheshin e fshatit. Çdo vit fshati i Dardhës me rastin e kësaj feste mblidhte shumë njerëz të cilët shijonin vallet e ndryshme të kërcyera nga valltarët dardharë. /ATSH/


Shtuar 16.03.2024 18:28