Lista e Kosovës për ndeshjet e muajit mars, këta janë pesë yjet e Superligës që u ftuan nga Franco Foda

Sot (e premte) përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, publikoi listën e lojtarëve të ftuar për dy ndeshjet miqësore të muajit mars që përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë ndaj Armenisë (22 mars) dhe Hungarisë (26 mars).

Në listën e Fodës janë të përfshirë gjithsej 24 futbollistë ku vëmendja bie më së shumti tek numri i madh i futbollistëve nga Superliga e Kosovës që kanë marrë ftesën për të përfaqësuar Kosovën.

Pesë yje të kampionatit kosovar janë bërë pjesë e listës së Fodës ku aty përfshihen Ilir Avdyli (KF Llapi), Lumbardh Dellova (KF Ballkani), Ilir Krasniqi (KF Llapi), Drilon Hazrollaj (KF Malisheva) dhe Lindon Emërllahu (KF Ballkani).

Vlen të theksohet se Emërllahu është i angazhuar me grupmoshat U21 të Kosovës, dhe do t’i bashkangjitet ekipit të parë më datë 23 mars për ndeshjen e dytë ndaj Hungarisë.

Përveç këtyre pesë emrave që tashmë janë pjesë e listës kryesore të teknikut austriak, në listën rezervë bëjnë pjesë Qëndrim Zyba i cili dikur ishte pjesë e Superligës së Kosovës dhe Muhamet Hyseni (KF Llapi).

Avdyli ka qenë i padiskutueshëm si zgjedhja numër një për portën e Llapit këtë sezon, duke shkëlqyer me paraqitjet e tij andaj edhe ftesa ishte më se e merituar për atë dhe për qendërmbrojtësin Ilir Krasniqi të cilët kanë merita absolute në sukseset e klubit llapjan.

Hazrollaj në anën tjetër që doli të ishte sensacioni i futbollit kosovar, ka regjistruar shifra të jashtëzakonshme këtë sezon duke shënuar 15 gola dhe duke dhuruar katër asistime.

Emërllahu në anën tjetër tashmë një talent i dëshmuar në Kosovë, ka lënë prapa krahëve lëndimin dhe është i gatshëm që të jap kontributin e tij.


Shtuar 15.03.2024 15:14