Kryetari i grupit parlamentar, njëkohësisht edhe nënkryetari i PD-së Gazment Bardhi ka folur mbrëmjen e sotme në lidhje me vendimmarrjen e opozitës për tu ulur me Partinë Socialiste.
Bardhi, i ftuar në Syri tv, u shpreh se, rezistenca prej 5 muajsh e opozitës e detyroi Edi Ramën që të tërhiqej dhe të negocionte me opozitën.
“Unë nuk kam lënë gjë rrugës. Ne kemi reaguar ndaj një vendimi konkret të mazhorancës. Kishte 2 komisione hetimore që ishin kërkuar në seancën e 12 tetorit dhe që u rrëzuan dhe reagimi ynë erdhi për shkak të atij vendimi.
Në momentin që Edi Rama vendos që pas 5 muajsh rezistencë të deputetëve të opozitës, që të zhbëjë vendimmarrjen e tij të gabuar dhe antikushtetuese, kjo nuk mund të konsiderohet si legenosje e opozitës.
Përkundrazi ishte rezistenca jonë që detyroi Edi Ramën të tërhiqej nga vendimi i 12 tetorit 2023, për rrëzimin e të dy komisioneve hetimore.
Nuk ka pasur asnjë negociatë për të drejtat tona, ishte një reflektim i mazhorancës që ishte një vendim i gabuar që duhej të ulej me opozitën për të respektuar të drejtat e opozitës.
Sipas Kushtetutës mazhoranca dhe opozita do të duhet të dakordësojë objektin e hetimit. E vetmja çështje për të cilën mund të diskutohet në organet e kuvendit kur paraqitet një kërkesë për komision hetimor, është objekti, duhet të të ketë dakordësi për objektin.
Ka dhjetëra vendime të Gjykatës Kushtetuese në të cilën thuhet se e vetmja çështje që mazhoranca mund të ketë një propozim alternativ, ku nuk diskuton ngritjen e komisionit, por mund të diskutojë vetëm objektin’, deklaroi Gazment Bardhi./albeu.com