Plotësohen kërkesa e parë e opozitës për normalizimin e veprimtarisë së Kuvendit, duke arrihtur dakordësinë për Komisionet Hetimore në Konferencën e Kryetarëve.
Mazhoranca tërhiqet nga vendimet e datës 12 Tetor 2023, për rrëzimin e komisionit hetimor për kontratat koncesionare në shëndetësi dhe për komisionin hetimor për ndërhyjen e paligjshme në sistemin TIMS.
Në Konferencën e Kryetarëve, është rënë dakort që Opozita do të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy Komisioneve Hetimore që u rrëzuan më 12 Tetor 2023.
Është vendosur në parim që të ngrihen të dyja komisionet e mësipërme, që ishin edhe shkaku i nisjes së aksionit të opozitës në Kuvend që nga 19 Tetori 2023 e deri më sot.
Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar Socialist Bledi Çuçi, e cilësoi një sinjal të mirë pjesëmarrjen e opozitës për t’u rikthyer në normalitet.
Lidhur me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, Çuçi tha se kjo e drejtë kushtetuese nuk i është mohuar.
“Sa i takon ngritjes së komisioneve hetimore ky ka qenë një pseudo-konflikt. Kërkesa duhet bërë sipas ligjeve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë të qartë për përshtatjen e objekteve të komisioneve hetimore.
Nëse ne rregullojmë objektet e kërkesave për komisionet hetimore siç e kërkon ligji, ne jemi të hapur për të diskutuar”, ka thënë Çuçi.
Më tej ai çmoi rolin e opozitës në Parlament, duke përmendur edhe ligje që duan shumicë të cilësuar.
“Ka një sërë ligjesh që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar siç është amnistia penale, por edhe ligje të tjera që lidhen edhe me rrugën e integrimit në BE e jo vetëm. Kështu që përfshirja e opozitës është e rëndësishme për të pasur një produkt të mirë në finale”, tha Çuçi.