Berisha: Edi Rama me gjithë propagandën e tij mbjell mashtrim 24 orë mbi 24 orë

Gjatë fjalimit të tij ditën e sotme, Lideri i opozitës, Sali berisha ka thënë se: Edi Rama me gjithë propagandën e tij mbjell mashtrim 24 orë mbi 24 orë.
Ai ka vendosur një censurë të plotë totale për parlamentin e lirisë.

Pjesë nga fjalimi i Sali Berishës:

Qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të të vërtetës dhe dinjitetit, ju përshëndes përzemërsisht.
Përulem me nderimin më të madh para jush që keni shndërruar Rrugicën e Shpresës në parlamentin e fjalës së lirë.
Që me protestën tuaj të përnatshme, me oratorët tuaj të mrekullueshëm jeni shndërruar në një burim të pashterrshëm frymëzimi për çdo shqiptar.
Në një burim të vërtetë drite për mendjet e shqiptarëve, për zemrat e tyre.
Thirrja juaj është thirrja e luftëtarëve, e guximtarëve, e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të pamposhtur, që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo diktaturë e dytë, nga ky regjim që po shpërbën me shpejtësi marramendëse kombin shqiptar.
Të dashur miq, çdo ditë që kalon bëhet më e rëndë pesha e krimit, pesha e vjedhjeve, pesha e mashtrimit, nga regjimi diktatorial për qytetarët shqiptarë.
Çdo ditë që kalon, ky regjim mbjell dëshpërim, mbjell varfëri, mbjell largim dhe vetëm largim të shqiptarëve nga Shqipëria.
Theksoj këto fjalë sepse jemi në një emergjencë kombëtare.
Jemi në një pushtim të egër për të cilin qytetarët janë vetëm për t’u vjedhur, për t’u mashtruar, për t’u përzënë nga Shqipëria.
Të dashur qytetare dhe qytetarë, çdo ditë që kalon është mbijetesë e këtij regjimi.
Çdo ditë që kalon është rrënim për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Edi Rama me gjithë propagandën e tij mbjell mashtrim 24 orë mbi 24 orë.
Ai ka vendosur një censurë të plotë totale për parlamentin e lirisë.
Mediat, të terrorizuara, nuk guxojnë të japin fjalët tuaja.
Nuk guxojnë t’u thonë qytetarëve të vërtetat.
Përkundrazi, transmetojnë me një jehonë të shpifur njëra pas tjetrës, mashtrimet, trillimet e deklaratave të Edi Ramës, anëtarëve të organizatës së tij kriminale që quhet qeveri, anëtarëve të organizatës kriminale që ka pushtuar drejtësinë e vendit.
Çfarëdo që ndodh, justifikohet me një frazë, me një mashtrim, ndërkohë që vazhdohet të vjedhin në mënyrë të tmerrshme këta qytetarë.


Shtuar 11.03.2024 20:11