Rusia pretendon se ka shkatërruar 47 dronë të Ukrainës

Rusia ka deklaruar se ka shkatërruar 47 dronë ukrainas gjatë natës mbi rajonet e saj jugore, veçanërisht në zonën e Rostovit, që ndodhet në kufi me Ukrainën. Kievi ka praktikuar lëshimin e dronëve në territorin rus që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022.

“Sistemet e mbrojtjes ajrore penguan dhe shkatërruan mbi territorin e rajonit të Belgorodit një dron, dy dronë në rajonin e Kurskut, tre në atë të Volgogradit dhe 41 dronë mbi rajonin e Rostovit”, tha ushtria ruse përmes një postimi në rrjetet sociale më 9 mars.

Rajonin jugor i Rostovit është qendër për ushtrinë ruse dhe shërben për të planifikuar operacionet e saj ushtarake në Ukrainë. Guvernatori i Rostovit, Vasily Golubev, shkroi në rrjetet sociale se një sulm me dron goditi qytetin Taganrog, në Detin Azov, afër pjesës së Ukrainës të pushtuar nga rusët. Ai tha se një punëtor i shpëtimit është plagosur, por “nuk ka të vdekur”.

Në kanalet e mediave sociale, të afërta me ushtrinë ruse, u tha se Ukraina ka sulmuar një fabrikë për prodhimin e pajisjeve të aviacionit në Taganrog.

Po ashtu, në mediat sociale ka pasur pretendime se është sulmuar edhe një bazë ajrore ushtrake në qytetin rustë Morozovskit.

Ndërkaq, autoritetet në rajonin Kursk, që gjendet më në veri dhe pranë kufirit me Ukrainën, thanë se një spital është dëmtuar në qytetin kryesor të Kurskut. Ky qytet gjendet afër 120 kilometra larg kufirit me Ukrainën./ REL


Shtuar 9.03.2024 16:19