Shpërthimi i fuqishëm në një kapanon në ndërtim në Lushnje, shkaktoi vdekjen e dy personave përkatësisht babë e bir, si dhe 7 të tjerë u plagosen, në mesin e tyre deputetit i PS Bujar Çela.
Policia e Lushnjes, ka referuar në Prokurorinë e Fierit dosjen për ngjarjen tragjike ndodhur paraditen e së premtes.
Sipas burimeve, janë ngritur zyrtarisht tre akuza, ndërtim i paligjshëm pasi objekti ka devijuar nga leja, shkatërrim prone nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:05 të premten, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim.
Dyshohet se gjatë punës, vinçieri duke drejtuar vinçin, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm.
Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi, vinçi dyshohet se ka qenë duke ngritur bombola me oksigjen të cilat po përdoreshin për saldim.
Si pasojë e shpërthimit humbën jetën dy persona, Roland Hoxha dhe djali i tij Elidon Hoxha.
Roland Hoxha 55-vjeç, Alias Landi Verçani (ka ndërruar identitetin për shkak të dokumentacionit), humbi jetën në vendngjarje, ndërsa djali i tij Elidoni, ka ndërruar jetë ndërsa po transportohej drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë që i plagosur ka mbetur edhe deputeti Bujar Çela, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, por sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.